Vajza e Kadaresë në mbrojtje të Tetarit Kombëtar

Nga Fatmira Nikolli

Gushti e boshatis Tiranën dhe i mbyll teatrot. Sezonet artistike mbyllen në qershor e rinisin në tetor. Në zagushinë e madhe verore, ka vetëm një teatër hapur. Ai Kombëtar. Ai i madhi që prej 1 muaji ruhet 24 orë nga qytetarë e artistë e po prej një muaji ka hapur një sezon artistik të pazakontë: shfaqje nga Shqipëria dhe nga jashtë vendit, shfaqje me vullnetarë, shfaqje në mbështetje të një kauze: mbro teatrin.

Tashmë sheshi ka gjithnjë njerëz. Kushdo që vjen gjen miq ose njeh të rinjë. Dje, rreth orës 19:00 në sheshin e teatrit erdhi Gresa Kadare dhe Risto Siliqi (djali i Llazar Siliqit). Bashkëshortë, ajo pedagoge në Francë e ai kërkues shkencor në një kompani. Kanë studiuar bio kimi dhe prej pothuaj 30 vitesh jetojnë në vendin e “lirisë, barazisë e vëllazërisë”.

Vajza e shkrimtarit me të shoqin u ulën pranë Edmond Budinës dhe folën gjatë. Thanë se e kanë mbështetur gjithnjë kauzën. Thanë se përfaqësojnë vetveten dhe se nuk i janë fshehur atyre që mendojnë. Regjisori u rrëfeu 19 muaj protestë, 13 muaj përditë, e 30 ditë 24 orë.

U rrëfeu “24korrikun”. Bashkëshortët treguan mbështetjen e tyre në mbrojtje të teatrit. Më pas kur erdh ora e fjalimeve në shesh, të dy u ulën mes njerëzve. Edmond Budina i prezantoi dhe i falenderoi. “Jemi njerëz që e duam teatrin.

Njerëz që besojmë. Ne jemi bashkë. Nuk na përçan askush.kam kënaqësinë të them se sonte kauzës sonë i shtohen edhe dy miq. Janë dy shkencëtarë. Gresa Kadare dhe Risto Siliqi. Ju faleminderit që jeni me ne. Ndaj ky teatër nuk do bjerë. Teatro të rinj të bëhen sa të duan. Këtu është vënë Doruntina, Nata me hënë, Gjenerali i ushtrisë së vdekur të Ismail Kadaresë”, tha Budina.

Artistët nga Italia
Më tej fjalën e morën Albert Dedja dhe Dardana Bërdyna, artistët që të dielën në mbrëmje mbajtën shfaqjen “Më pyesin ku je” në sallën e teatrit kombëtar. Dedja që ka firmën e regjisë dhe tekstit të shfaqjes duke ju treguar mbështetjen qëndrestarëve tha “se jemi të vegjël para jush.

Ne jemi larg dhe nuk mund tu mbështesim sa duam. Pjesa jonë flet për konceptin e lirisë.Kushdo që shkon kundër artit mbjell një të ardhme që s’është e ardhme. Teatri për artistët është shtëpia e shpirtit. Nuk mund të shembet shtëpia e shpirtit”. Sipas tij, ky teatër nuk do të bjerë se këtu ka njerëz që besojnë.

“Nuk mund të bjerë një histori e mrekullueshme e teatrit shqiptar, ka ngarkesë. Kjo ndërtesë ka identitet, ne na duhet identitetit. Arti na ndihmon të mbijetojmë. Ju falenderojmë për këtë që bëni. Na keni përkrah” tha ai. Edhe Bërdyma duke nënvizuar se ndan të njëjtin mendim me Dedjen, shtoi se “jemi në mbështetje të asaj që bëjnë qytetarët e Tiranës”.

Një artiste italiane, Serena Battisti pjesë e kompanisë teatrale “La quarta parette” tha se njihej personalisht me shkrimtarin arbëresh Carmine Abate. “Do bëj të pamundurën që ta sjell këtu e të japë një mesazh. Kur hyra në teatër pata një sëmbim në zemër. Është teatër i mrekullueshëm e nuk duhet shembur”, tha ajo