Rama nuk bën dot pa kriminelët! Një rrugë ka; zgjedhje të lira e të ndershme në të gjithë Shqipërinë

Sekretari për Çështje Ligjore në Partinë Demokratike, Çlirim Gjata nga studio e News 24, duke folur për zhvillimet politike në vend, tha se, kryeministri Rama po mbështet kandidatë, të cilët kanë probleme me ligjin dhe janë subjekt i qartë i dekriminalizimit.

Sipas tij, Rama është përgjegjësi kryesor për situatën ku ndodhet vendi, ndërsa shtoi se Valdrin Pjetri dhe Agim Kajmaku duhet të dalin përpara drejtësisë.

Ai tha se, pas Pjetrit dhe Kajmakut do të ketë edhe emra të tjerë, që janë subjekt i dekriminalizimit.

“I pari që duhet të mbajë përgjegjësi është Edi Rama. Ka një drejtori të dekriminalizmit, e cila duhet të verifikojë emrat. Pse mor zotëri duhet t’i gjejë opozita rastet penale. Opozita është opozitë për të dhënë ide, por jo për të gjetur kriminelët. Duhet t’i kishte gjetur prokuroria, e ka detyrim t’i verifikojë të gjithë emrat. Nuk kemi shpresë tek kjo prokurori. Problemi është politik.

Kryeministri nuk bën dot pa ta, ai është lidhur ngushtë me ta, pasi është lidhur financiarisht me krimin. Për ne datë zgjedhjesh nuk ka pasur. Pas Kajmakut prisni tjetrin. Kryeministri drejton krimin e organizuar dhe jep mbështetje politike. Ai është implikuar financiarisht me të dhe zbaton urdhrat e tij. Qeveria jep mbështetje, këta blejnë zgjedhje dhe nëpërmjet oligarkëve, pastaj pastron paratë në ndërtime.’

Gjata tha se zgjedhjet e lira janë kusht i parë dhe i fundit, që i duhet më shumë se kurrë sot Shqipërisë për të hyrë në rrugën e drejtë.

“Një rrugë ka: zgjedhje të lira dhe të ndershme në të gjithë Shqipërinë. Me këtë kryeministër nuk futesh dot në zgjedhje. Kryeministri duhet të japë dorëheqjen. Prisni shtatorin, asgjë nuk është mbyllur dhe harruar. Rama duhet të largohet sepse nuk shkohet kështu. Ky shtet duhet të bëhet dreqi e mori, nuk shkohet kështu”, tha Gjata.