“Padyshim që stabiliteti është në interesin kryesor strategjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për Shqipërinë, për Ballkanin dhe për të gjithë Evropën. Këtu ska asgjë të re për njohësit e çështjeve ndërkombëtare. E reja qëndron në faktin se për shkak edhe të zhvillimeve, para, gjatë dhe pas 30 qershorit, qartësisht kemi një realitet të ri politik,edhe përsa i përket faktorit ndërkombëtar.
Këtë e shikoj në shumë hapa, e shikoj sa i përket procesit të 30 qershorit dhe legjitimitetit të munguar të 30 qershorit, në akte të tilla si tërheqja e misionit më të rëndësishëm që vëzhgon zgjedhjet vendore, që nuk është misioni i OSBE/ODIHR-it, por është misioni i Autoriteteve Lokale të Këshillit të Evropës.
Si rregull OSBE ndjek zgjedhjet politike, por kur ka probleme, siç është Shqipëria, ndjek edhe zgjedhjet vendore, por është Këshilli i Evropës që i monitoron, i cili i tërhoqi vëzhguesit. Kush i tërhoqi, unë i tërhoqa? Natyrisht këto janë vendime, janë sinjale të qarta që jepen, sa i përket rënies në pikiatë të demokracisë në Shqipëri dhe sinjaleve që duhet të jepen në këtë drejtim.
Djegia e mandateve absolutisht ka rezultuar vendimi i duhur. Pa këtë vendim, opozita rrezikonte të kthehej në një fasadë, në një garniturë të pushtetit. Dy qëllime arriti djegia e mandateve: së pari na distancoi nga një pushtet i korruptuar në palcë që e kishte kthyer parlamentin në një institucion vjedhjeje me ligj.
Qëllimi i dytë që u arrit ishte që një masë ekstreme, që i përgjigjet një realiteti ekstrem rezultoi e nevojshme për të vetëdijësuar të gjithë, edhe partnerët tanë strategjikë, se kështu nuk shtyhet më. Dhe unë ju them me përgjegjësi të plotë se ky vetëdijësim sot ka mbërritur”, u shpreh Basha.