Paralajmërimi i fortë i Bashës nga Unaza e Re: Shtatori i protestave popullore, do japin llogari finale…

Kryetari i opozitës, Basha paraljmëroi sot nga protesta e banorëve të Unazës së re se shtatori do të jetë jetë muaji i protestave popullore dhe se po afron koha e atyre që do të japin llogari finale përpara popullit.

“Koha për të garantuar pronën tuaj, pa shenjtërinë e së cilës nuk ka shoqëri të lirë, nuk ka shoqëri të zhvilluar, dhe për të garantuar aty ku interesi publik kërkon zhvillimin, dëmshpërblimin sipas vlerës së tregut për çdo centimetër katror të pronës tuaj,

Koha për të dhënë llogarinë finale para popullit po afron, dhe para nisjes së shtatorit të protestave popullore dhe të platformës kombëtare “Për Shqipërinë si e gjithë Evropa”, e nisim me nënshkrimin e Marrëveshjes dhe kontratës me banorët e Unazës së Re.

Unaza e Re, shkolla më e shkëlqyer në Ballkan e rezistencës qytetare kundër paligjshmërisë, kundër hajdutërisë dhe kundër korrupsionit qeveritar”, tha Basha.

FJALA E PLOTË E KRYETARIT BASHA TEK UNAZA E RE

Ju përshëndes zonja dhe zotërinj, të rinj dhe të reja, të dashur fëmijë, banorë të Unazës së Re. I përshëndes po kështu të gjithë mbështetësit tuaj e në veçanti ata që kanë qenë përditë e përnatë pranë jush, bashkëqytetarët tuaj të kësaj zone, dhe po kështu të gjithë përfaqësuesit e komunitetit.

Sikundër e pata vendosur disa javë më parë, sot kemi finalizuar kontratën midis opozitës së bashkuar, Partisë Demokratike dhe banorëve të Unazës së Re. Ne, pjesë të kësaj kontrate, angazhohemi t’i përmbahemi të gjitha premtimeve dhe zotimeve që kemi bërë përpara jush, prej ditës së parë të zbulimit të kësaj afere dhe në netët e errëta dhe të ftohta të terrorit dhe dhunës kriminale kundër jush, dhe ditë për ditë, e natë për natë, së pari, për t’i dhënë fund poshtërimit, dhunimit dhe shkeljes së dinjitetit tuaj dhe të familjeve tuaja, për të dëmshpërblyer moralisht gjithësecilin prej jush, që ka vuajtur dëm të madh moral e psikologjik nën terrorin shtetëror, e në veçanti ata që përveç kësaj janë përndjekur politikisht me arrestime, burgime, apo kanë vuajtur trauma të mëdha shëndetësore, dhe po kështu vuajtjet që u janë shkaktuar fëmijëve tuaj, familjarëve tuaj, nga ky kalvar i patregueshëm vuajtjesh në zemër të Evropës, nga një regjim hajdutësh dhe kriminelësh.

Së dyti, për të garantuar pronën tuaj, pa shenjtërinë e së cilës nuk ka shoqëri të lirë, nuk ka shoqëri të zhvilluar, dhe për të garantuar aty ku interesi publik kërkon zhvillimin, dëmshpërblimin sipas vlerës së tregut për çdo centimetër katror të pronës tuaj, të zhvilluar me mund, me gjak dhe me djersë.

Dhe së treti, vënien para përgjegjësisë penale të të gjithë hajdutëve, nga më i vogli, tek më i madhi.
Sot dua t’ju drejtohem nga kjo protestë e përnatshme e Unazës së Re të gjithë bashkëqytetarëe, e t’ju them, se ajo që ngjan këtë javë, zbulimi i një tjetër krimineli në radhët e “Rilindjes”, i cili ishte planifikuar të uzurponte me dhunën e pakicës së pakicës dhe me dhunën e krimit bashkinë e Shkodrës, është treguesi më i mirë, se vendi nuk qeveriset, por sundohet nga një bandë hajdutësh dhe kriminelësh, me në krye Edi Ramën.

Ata nuk kanë dhe nuk kanë pasur asnjë çast në mendje interesat e popullit, interesat e njerëzve. Dhe asgjë nuk e tregon këtë më mirë se Unaza. Gjithçka këtu nisi për grabitje, për vjedhje, për hajdutëri të përmasave më të mëdha dhe më kriminale: 40 milionë euro pa tvsh-në, 20 milionë prej të cilave do të shkonin, do të zhdukeshin, do të pastroheshin në kontot bankare jashtë Shqipërisë, me dokumente të falsifikuara, duke falsifikuar madje edhe dokumentet zyrtare të SHBA-ve.

Në këtë vend, ku më i pambrojturi, i varfri, njeriu i thjeshtë përballet çdo ditë me gjoba, me haraçe, me dhunë policore, me arrestime të padrejta, ndonëse ka 6 muaj që është zbuluar ky skandal, asnjë njeri i vetëm nuk ka shkuar para drejtësisë. Sepse drejtësia është kapur nga Edi Rama dhe është kthyer në një vegël shërbëtore të kësaj bande kriminale. Unaza e Re, skandali dhe afera e Unazës së re, nuk vjen sepse këtu duhet apo kërkohet zhvillim, ky nuk është një projekt zhvillimi, ky është një projekt vjedhjeje.

Ndërsa projekti i devijimit të lumit, i pari projekt në historinë e Europës ku devijohet lumi, bëhet për të pastruar 60 milionë eurot e projektit të Edmond Begos, mikut të Taulant Ballës, trafikantit të dënuar të drogës, për hir të të cilit duan të shkatërrojnë banesat e mbi 600 familjeve të tjera, për të ndërtuar aty kulla me vlerë 60 milionë euro. E njëjtë si afera me Teatrin Kombëtar, ku edhe aty do ndërtohen kulla me vlerë 200 milionë euro për të shpëlarë paratë e klaneve të drogës, të klaneve shqiptaro-kolumbiano-spanjolle.

Të gjitha këto afera i lidh një emër, të gjitha këto janë të mundura sepse shteti shqiptar nuk funksionon më si shtet por funksionon si bandë, si narkoshtet, dhe kjo sepse në krye të vendit është një njeri që ka kapur të gjitha pushtetet, ka sjellë kriminelët në institucione, ka shkatërruar zgjedhjet, ka kapur drejtësinë, me një dhe vetëm një qëllim, që t’i vjedhë e t’i grabisë shqiptarët deri në qindarkën e fundit, që të mbysë çdo zë kundërshtie dhe rezistence, dhe të sundojë vendin pa asnjë opozitë, pa asnjë kundërshti, pa asnjë kontroll, pa asnjë shans për të dhënë llogari para drejtësisë.

Ky është projekti i vetëm i Edi Ramës.