Kafshëria ndaj turistëve spanjollë, i dhunoi pronari i lokalit pse nuk pëlqyen peshkun

Nga ana e policisë ende nuk ka asnjë reagim për ngjarjen e shëmtuar të ndodhur dje në Qeparo të Himarës ku pesë turistë spanjollë raportohet se janë dhunuar barbarisht nga pronari i lokalit dhe të afërm të tij.

Shkak dyshohet se është bërë pakënaqësia e turistëve me ushqimin në restorant, çka ka sjellë edhe reagimin e ashpër të pronarit.
Ata janë dhunuar dhe kërcënuar, si dhe u është thyer xhami i mjetit.

Fatmirësisht turistët kanë mundur të largohen disa kilometra deri sa kanë parë një patrullë të policisë, e cila ka ndërhyrë për të qetësuar situatën. Raportohet se fillimisht turistët kanë hyrë në ambientet e restorantit dhe kanë porositur peshk të freskët.
Më pas ata kanë kërkuar që të shohin peshkun paraprakisht për t’u siguruar për cilësinë e tij.

Pasi u është treguar peshku nga personeli, turistët janë shprehur të pakënaqur dhe kanë kërkuar të anulojnë porositë dhe të largohen.Por kjo ka sjellë acarimin e pronarëve të restorantit, që kanë ndjekur nga pas furgonin me të cilin po largoheshin miqtë nga Spanja.

Pasi u kanë zënë rrugën, ata kanë nisur ta godasin mjetin me sende të forta dhe kanë tentuar që të dhunojnë fizikisht shoferin dhe turistët spanjollë. Në konflikt e sipër, pronarët e lokalit kanë nxjerrë edhe armët e ftohta për të goditur turistët.

Madje, ata kanë thyer edhe xhamin e furgonit, i cili po i shoqëronte ata. Brenda furgonit ndodheshin 7 persona, prej të cilëve 5 spanjollë, shoferi dhe shoqëruesi i turistëve, që janë shqiptarë. Pas kësaj, turistët kanë njoftuar Policinë e Sarandës.

Konflikti mund të ishte përshkallëzuar edhe më tej nëse në vendin e quajtur Volloder, furgoni i turistëve me xhamin e përparmë të thyer nuk do të ishte pikasur nga një furgon i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Fierit, që gjatë sezonit veror është stacionuar në Sarandë dhe Vlorë, shkruan Panorama.

Efektivët e FNSH-së u kanë dhënë ndihmën e parë turistëve, ndërkohë që forca të shumta të Policisë së Himarës, Sarandës dhe FNSH-së u vunë vënë në ndjekje të autorëve, të cilët më pas u shoqëruan në Komisariatin e Policisë në Sarandë, ku janë marrë në pyetje të dyja palët, turistët dhe pronarët e lokalit.

Nga një informacion konfidencial paraprak mësohet se “spanjollët kanë porositur peshk për drekë dhe ndërkohë që po përgatitej për skuqje, kanë shprehur rezerva për cilësinë e peshkut dhe janë larguar. Pas kësaj, pronarët kanë ndjekur furgonin nga pas, duke i sulmuar me mjete të ftohta”.