Deklarata e fortë: Prokuroria dhe KQZ-ja duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore për Valdrin Pjetrin

Ish-kryetari i KQZ dhe njohësi i mirë i Kushtetutës, Kristaq Kume, teksa komenton rastin e Valdrin Pjetrit, shprehet se,  Prokuroria dhe KQZ nuk kanë bërë detyrën.

Në një intervistë për Ora News, Kume deklaroi se, nga ana e këtyre dy institucioneve ka munguar vullneti. Sipas tij, partitë politike nuk bëjnë verifikime për të kaluarën e kandidatëve.

“Mundësitë për të bërë verifikime për të kaluarën e kandidatëve nuk janë të subjekteve zgjedhore. E kanë të pamundur partitë politike që të bëjnë verifikime të tilla. Partitë politike detyrohen të marrin dokumentacionin që lëshohet nga institucionet ligjzbatuese për pastërtinë e figurës, por jo të verifikojnë pas saj. Ka dy institucione të tjera që ligji i jep të drejtën dhe detyrën që të verifikojnë pastërtinë e figurës në kuptimin e kërkesave të ligjit për dekriminalizimin, që janë KQZ dhe Prokuroria e Përgjithshme.

Në vlerësimin tim janë këto dy institucione që do të duhet ta kishin kryer detyrën dhe mund të mos ndodheshim para kësaj situate. Zoti Pjetri është deklaruar që unë nuk kam problem me të kaluarën time. Në deklaratën e dorëheqjes së tij, ai thotë ‘unë largohem jo pse nuk e ndjej vetën të aftë dhe të zotë për të kryer këtë detyrë, por unë dua të provoj se jam i pastër pa patur fuqinë e kryetarit’. Në këto kushte nuk ka pse ta gjykojmë tjetrin. Të presim cfarë do të thonë organet ligjzbatuese ato që kanë të drejtën dhe detyrën që duhet ta kishin bërë më përpara.

Në fund të fundit në këtë proces zgjedhor sa do kontrollonin gjithsej deklarata të vetëdeklarimit për pastërti? 100 ose 100 e ca persona. Pse nuk e kanë bërë? Për mendim tim ka munguar vullneti për ta bërë deri në fund këtë detyrë, nga këto dy institucione KQZ dhe prokuroria”, shprehet Kristaq Kume.

Voltana Ademi do të vijojë të drejtojë Bashkinë, Këshilli bashkiak nuk e shkarkon dot

Ish-kryetari i KQZ dhe konstitucionalisti, Kristaq Kume shprehet se, pavarësisht dorëheqjes së Vladrin Pjetrit nga mandati i kryetarit të bashkisë Shkodër, Këshilli i ri bashkiak mund të konstituohet.

Në një intervistë për Ora News, Kume sqaron nga ana ligjore, se detyrën e kryetarit të bashkisë do të vazhdojë të kryejë zonja Voltana Ademi. Për të cilën thotë se nuk mund ta shkarkojë këshilli bashkiak.

“Dorëheqja nga mandati i kryetarit të bashkisë të Valdrin Pjetrit, menjëherë hap pas saj nevojën e zhvillimit të zgjedhjeve të përsëritura në këtë bashki. Kjo për faktin se ky ka qenë kandidati i vetëm që ka kandiduar në zgjedhjet e 30 qershorit. Nëse do të kishte një kandidat tjetër mundet që KQZ përsa kohë që procesi nuk konsiderohet i përfunduar deri në betimin e tij të shpallte vakancën dhe ti kalonte mandatin garuesit tjetër. Është shumë e rëndësishme të theksojmë faktin tjetër se kjo dorëheqje nuk afekton fare rezultatin e zgjedhjeve në bashkinë e zgjedhjeve sa i përket këshillit bashkiak.

Këshilli bashkiak konstituohet dhe pas konstituimit të këshillit bashkiak kryetari i zgjedhur mund të ushtrojë detyrën si i tillë vetëm në rast se betohet përpara këshillit bashkiak. Këshilli Bashkiak i ka të gjitha mundësitë në Shkodër që të mblidhet të konstituohet dhe të fillojë punën. Ndër punët e para që bën ky organ i zgjedhur është zgjedhja e nënkryetarëve për bashkinë e Shkodrës. Ndërkohë duke iu referuar ligjit të qeverisjes vendore detyrën e kryetarit të bashkië do të vazhdojë të kryejë zonja Voltana Ademi si një kryetare në detyrë dhe këtë ta ushtrojë derisa i zgjedhuri nga procesi zgjedhor i ardhshëm si kryetar bashkie në Shkodër do të betohet për të marrë këshillin bashkiak.

Këshilli Bashkiak nuk ka fuqi ligjore për të shkarkuar kryetaren e bashkisë Shkodër, cilado qoftë situata. Kryetari i bashkisë merr mandatin si një i zgjedhur direkt nga populli. Kryetari i bashkisë është ekzekutivi i pushtetit vendor. Kryetarit i bashkisë i ndërpritet mandati vetëm atëherë kur plotëson kushtet e përcaktuar në ligj. Ligji në asnjë rast nuk ka parashikuar që një ndër mundësitë e ndërprerjes së mandatit të kryetari të bashkisë të jetë një vendimmarrje e këshillit bashkiak”, deklaroi Kristaq Kume.