Bllofi tjetër i mashtruesit Rama me “Gega Oil”: Ja bllokoi dhe çbllokoi brenda orës magazinën

Një tjetër bllof i Ramës. Kësaj here me kompaninë Gega Oil. Rama deklaroi se ishte bllokuar aktiviteti i tij për shkak të evazionit fiskal dhe se pronari i saj është shpallur në kërkim, ndërkohë që e vërteta sipas Gega Oil është se magazina që u bllokua nga tatimorët është zhbllokuar pas vetëm një ore.

Paulin Gega, pronari i firmës së karburanteve “Gega Oil” ka reaguar pasi policia njoftoi zyratarisht shpalljen e tij në kërkim për evazion fiskal.

Gega Oil, në një prononcim për “Neës24”, tha se është me pushime në Greqi me familjen. Ai deklaroi se lajmin për shpalljen e tij në kërkim e ka mësuar nga mediat pikërisht këtë të shtunë. Paulin Gega shprehet se kompania e tij nuk ka kryer asnjë vepër penale.

“Jemi nisur për pushime verore në Greqi, më datë 09.08,2019, pushime të cilat janë rezervuar rreth dy muaj më parë të një agjenci turistike në rrugën Fortuzi, Tiranë, ku dhe mund ta verifikoni fare lehtësisht. Sot ndërkohë jemi njoftuar në mënyrë indirekte pas lajmeve që kishin shpërthyer nëpër portale e gazeta të ndryshme, ku pretendohej se administratori i kompanisë Genklaudis sha, ishte larguar qëllimisht për t’iu shmangur përballjeve ligjore.

Ne mund t’ju konfirmojmë që në njërën nga magazinat tona fiskale të shitjes me shumicë, që ndodhet në Vrinë, Durrës, është ushtuar një kontroll para dy ditësh, ku ka pasur një ndërprerje të aktivitetit vetëm për disa orë, me pretendimin se kasat e shitjes ishin të vendosura në regjim manual, pavarësisht se ne posedojmë certifikatën e kalibrimit të regjimit automatik, e lëshuar sipas ligjeve në fuqi nga firma certifikuese e fiskalizimeve A.E Distribution shpk në vitin 2012! Mbas verifikimeve nga organet kompetente, u bë zhbllokimi i këtij stacioni shitjeje dhe aktiviteti ka vazhduar normalisht.

Pra, kompania jonë nuk ka kryer asnjë shkelje apo kundravajtje penale as në aspektin evaziv apo të të ashtuquajturës ‘Fshehje e të ardhurave apo të pasurisë’. Gjithashtu ju komunikojmë me përgjegjësi të plotë morale dhe korporative që aktiviteti i firmës tonë vazhdon pa ndërprerje në të gjithë Shqipërinë.

Kompania Genklaudis sha është një ndër 10 tatimpaguesit më të mëdhenj në Shqipëri, me mbi 83 stacione shitjetje në të gjithë vendin dhe me mbi 500 punonjës, e gatshme për të vënë në dispozicion çdo dokumentacion kundrejt çdo institucionin shtetëror dhe ligjor dhe të përgjigjet deri në shkallën më të lartë të drejtësisë”, është reagimi i Gegës.