Komisioni Amerikan i Helsinkit: Të shqetësuar nga vendimet e Ramës, korrupsioni i kudondodhur

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Këshilltari i Komisionit Amerikan të Helsinkit, Robert Hand, thotë se kriza e shumëfishtë në Shqipëri ndodh në një moment kritik për vendin, ndërsa Bashkimi Evropian pritet të marrë vendimin për hapjen ose jo të negociatave të anëtarësimit dhe në një kohë që Shqipëria pritet të marrë kryesinë e radhës të OSBE-së vitin e ardhshëm.

Vendi në këtë moment ka nevojë për një udhëheqje të përgjegjshme politike, shton ai. Me zyrtarin e lartë të Komisionit amerikan për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë bisedoi shefi i Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës, Arben Xhixho.

Zëri i Amerikës: Ju përmendët zgjedhjet lokale. Ju keni vëzhguar pothuajse të gjitha zgjedhjet në Shqipëri, që nga ato të parat pas rënies së komunizmit. A mendoni se zgjedhjet e fundit janë legjitime?

Robert Hand: T’ju korrigjoj për vëzhgimin e zgjedhjeve, unë kam vëzhguar ato të 1991 dhe shumë të tjera më pas, por jo këto të viteve të fundit për shkak të përgjegjësive të tjera. Për zgjedhjet e 30 qershorit do t’i qëndroja vlerësimit të OSBE-së. Ato u zhvilluan.

Pati debat për datën dhe se çfarë duhet bërë, për shkak edhe të mungesës së gjykatave dhe nuk pati kohë të mjaftueshme për t’i zgjidhur këto mosmarrëveshje, pra nuk kishte alternativë tjetër veç bërjes së tyre. Është për të ardhur keq, pasi në se ato janë legjitime apo jo, nuk pati kandidatë alternativë në zgjedhje dhe për rrjedhojë ato janë më pak legjitime. Ky do të jetë një problem për të ardhmen.

Zëri i Amerikës: A mendoni se këto zgjedhje duhen përsëritur në një moment në të ardhmen?
Robert Hand: Kjo u takon shqiptarëve ta vendosin dhe të shpresojmë që do të ketë negociata se si do të veprohet.

Zëri i Amerikës: Si mund të dalë vendi nga një kaos i tillë?
Robert Hand: Kjo kërkon vullnet politik dhe vullnet të mirë nga udhëheqësit. Është e vështirë ta thuash. Shqipëria megjithë problemet që ka patur në të kaluarën ka qënë në gjendje të përparojë. Dhe në fakt ka bërë përparim gjatë viteve, ndonëse jo aq shpejt sa do të dëshironim.

Kjo e tanishmja është një krizë e shumëfishtë, paksa e paprecedentë, ndoshta e krahasushsme me ato të fillimit të viteve 1990. Uroj që mes elitave politike shqiptare do të ketë vullnet për të biseduar dhe për të gjetur zgjidhje për mosmarrëveshjet.

Zëri i Amerikës: Situata e tanishme është edhe një lloj pasoje e reformës në drejtësi për të cilën këmbëngulën Shtetet e Bashkuara. Në këtë kontekst a mendoni se Shtetet e Bashkuara duhet të tregohen më të angazhuara?

Robert Hand: Nuk mendoj se duhet të luajnë rol ndërmjetësues. Shqiptarët duhet të largohen nga praktika e të kërkuarit ndihmë nga të huajt për të ndërmjetësuar mosmarrëveshjet e brendshme. Po, mendoj se Shtetet e Bashkuara, duke këmbëngulur për reformën dhe vetingun e gjyqtarëve, që çoi në mosfunksionimin e gjykatave, kanë luajtur një rol në këtë drejtim. Por mendoj se reforma dhe vetingu ishin të nevojshëm.

Ndërkohë vendi ka nevojë për udhëheqje të përgjegjshme politike për të ecur përpara, deri në krijimin e një sistemi të besueshëm drejtësie, që do të zgjidhte mosmarëveshje të kësaj natyre. Ndërkohë u takon politikanëve të jenë të hapur për dialog dhe të arrijnë një zgjidhje, që vendi të ecë përpara në këtë kohë kritike.

Zëri i Amerikës: Cili është mendimi juaj për qeverisjen e kryeministrit Edi Rama. Ai ka qënë në pushtet prej 6 vjetësh tashmë. Ka vëzhgues që thonë se Shqipëria ka bërë hapa pas përsa i përket demokracisë. Cili është mendimi juaj?

Robert Hand: Kryeminsitri Rama ka qënë në pushtet që nga 2013. Socialistët fituan të vetëm në zgjedhjet e fundit pa patur nevojë për koalicion. Duke parë Shqipërinë, por edhe vende të tjera, në dy-tri vitet e para të pushtetit arrihet përparim. Në mandatin e dytë, kur vjen tek viti i gjashtë, fillojnë dalin zhvillime, që janë problematike, pra kjo është një prirje që vihet re gjithandej dhe nuk dua të fajësoj për këtë vetëm kryeministrin.

Megjithatë disa prirje të kësaj qeverie janë shqetësuese. Është shqetësuese nisma lidhur me median në internet dhe masat që mund të merren kundër portaleve të lajmeve, pasi mund të jenë vendime arbitrare nga një ent administrativ. Jo vetëm OSBE-ja, por shumë organizata të tjera që merren me lirinë e shtypit, brenda ose jashtë Shqipërisë, apo shoqëria civile, kanë shprehur shqetësim për të.

Po ashtu është shqetësues problemi i korrupsionit që është i kudo-ndodhur në Shqipëri. Në pikëpamjen time vendi ka përparuar këto 6 vjet. Mendoj se reforma në drejtësi mund ta çojë vendin më përpara. Shqipëria duhet të shpërblehet për këtë, por kjo nuk i bën të padukshme problemet e tjera.

Por largimi i opozitës nga parlamenti, siç ndodhi në shkurt, krijoi një problem të ri, duke e zhvendosur vëmendjen tek veprimi i saj, në se ishte kundër-produktiv apo jo dhe u lanë në harresë problemet e vërteta për ta mbajtur qeverinë përgjegjëse për veprimet e saj, gjë që është pikërisht misioni i opozitës.