Hand: Këmbëngulja nga SHBA për vetingun e gjyqtarëve çoi në mosfunksionimin e gjykatave

Për të parën herë gajtë këtyre viteve kemi një zë të fortë kritik nga Shtetet e Bashkuara për rolin që ka luajtur diplomat të caktuar në lënien e vendit sot pa gjykata. Alarmi vjen nga Komisioni amerikan i Helsinkit dhe përfaqësuesi i saj, Bob Hand, një njohës i mirë i zhvillimeve politike në Shqipëri.

Komisioni për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, ose siç njihet ndryshe Komisioni Amerikan i Helsinkit, është një agjenci e pavarur qeveritare e krijuar nga Kongresi në vitin 1975 për të vëzhguar dhe nxitur respektimin e Aktit Final të Helsinkit dhe të angazhimeve të tjera të OSBE-së.

Komisioni përbëhet nga 18 ligjvenës amerikanë, 9 nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe 9 nga Senati. Po ashtu anëtarë të tij janë përfaqësues të Departamentit të Shtetit, të Pentagonit dhe të Departamentit të Tregëtisë. Pozita e kryetarit dhe bashkë-kryetarit ndahet mes Dhomës së Përfqësuesve dhe Senatit dhe ndryshon çdo dy vjet pas zgjedhjeve në Kongres.

Komisioni ndihmohet në punën e tij nga një ekip zyrtarësh. Aktualisht Kryetari i Komisionit të Helsinkit është ligjvenësi i Dhomës së Përfaqësuesve Alcee L. Hastings dhe Bashkë-kryetar është senatori Roger F. Ëicker.

Zëri i Amerikës: Ju përmendët zgjedhjet lokale. Ju keni vëzhguar pothuajse të gjitha zgjedhjet në Shqipëri, që nga ato të parat pas rënies së komunizmit. A mendoni se zgjedhjet e fundit janë legjitime?

Robert Hand: T’ju korrigjoj për vëzhgimin e zgjedhjeve, unë kam vëzhguar ato të 1991 dhe shumë të tjera më pas, por jo këto të viteve të fundit për shkak të përgjegjësive të tjera. Për zgjedhjet e 30 qershorit do t’i qëndroja vlerësimit të OSBE-së. Ato u zhvilluan.

Pati debat për datën dhe se çfarë duhet bërë, për shkak edhe të mungesës së gjykatave dhe nuk pati kohë të mjaftueshme për t’i zgjidhur këto mosmarrëveshje, pra nuk kishte alternativë tjetër veç bërjes së tyre. Është për të ardhur keq, pasi në se ato janë legjitime apo jo, nuk pati kandidatë alternativë në zgjedhje dhe për rrjedhojë ato janë më pak legjitime. Ky do të jetë një problem për të ardhmen.

Zëri i Amerikës: A mendoni se këto zgjedhje duhen përsëritur në një moment në të ardhmen?
Robert Hand: Kjo u takon shqiptarëve ta vendosin dhe të shpresojmë që do të ketë negociata se si do të veprohet.

Zëri i Amerikës: Si mund të dalë vendi nga një kaos i tillë?
Robert Hand: Kjo kërkon vullnet politik dhe vullnet të mirë nga udhëheqësit. Është e vështirë ta thuash. Shqipëria megjithë problemet që ka patur në të kaluarën ka qënë në gjendje të përparojë. Dhe në fakt ka bërë përparim gjatë viteve, ndonëse jo aq shpejt sa do të dëshironim.

Kjo e tanishmja është një krizë e shumëfishtë, paksa e paprecedentë, ndoshta e krahasueshme me ato të fillimit të viteve 1990. Uroj që mes elitave politike shqiptare do të ketë vullnet për të biseduar dhe për të gjetur zgjidhje për mosmarrëveshjet.

Zëri i Amerikës: Situata e tanishme është edhe një lloj pasoje e reformës në drejtësi për të cilën këmbëngulën Shtetet e Bashkuara. Në këtë kontekst a mendoni se Shtetet e Bashkuara duhet të tregohen më të angazhuara?

Robert Hand: Nuk mendoj se duhet të luajnë rol ndërmjetësues. Shqiptarët duhet të largohen nga praktika e të kërkuarit ndihmë nga të huajt për të ndërmjetësuar mosmarrëveshjet e brendshme. Po, mendoj se Shtetet e Bashkuara, duke këmbëngulur për reformën dhe vetingun e gjyqtarëve, që çoi në mosfunksionimin e gjykatave, kanë luajtur një rol në këtë drejtim. Por mendoj se reforma dhe vetingu ishin të nevojshëm.

Ndërkohë vendi ka nevojë për udhëheqje të përgjegjshme politike për të ecur përpara, deri në krijimin e një sistemi të besueshëm drejtësie, që do të zgjidhte mosmarëveshje të kësaj natyre. Ndërkohë u takon politikanëve të jenë të hapur për dialog dhe të arrijnë një zgjidhje, që vendi të ecë përpara në këtë kohë kritike.