Bujar Asqeriu rikthehet kundër Ramës: Kurrë nuk kam kërkuar shembjen e Teatrit, jemi në opozitë…

Aktori i njohur Bujar Asqeriu ka përgënjeshtruar deklaratat e publikuara të kryeministrit Rama ku sipas tij aktori kërkon shembjen e Teatri Kombëtar dhe ndërtimin e një të riu së bashku me kullat.

Aktori shprehet se kryeministri ka përdorur faza të shkëputura që ai ka thënë para një viti dhe më pas i lidh dhe i nxjerr për publikun.

Duke folur ekskluzivisht për gazetën “Panorama”, Bujar Asqeriu, i cili ndodhej me pushime, u bën thirrje dhe aktorëve të tjerë që për teatrin të bëjnë betejë vetëm artistët, duke e lënë larg politikën.

‘Ky ka qenë një qëndrim i kahershëm imi, publik, para mediave dhe publikut, ndërsa Kryeministri kap fraza të shkëputura të miat dhe i lidh. Unë kam kërkuar që me çështjen e Teatrit të merren arkitektët. Asnjëherë nuk e kam përmendur fjalën shembje, kam thënë që të flasin arkitektët.

Këto qëndrime unë i kam mbajtur që para një viti e gjysmë, por atëherë më shikonin si armik të gjithë, madje Kryeministri, në atë kohë, më anatemoi.

Devizën time unë e kam thënë: larg politikës. Aktorët shkojnë dhe nënshkruajnë në skenë me kryetarin e opozitës, unë nuk jam për këtë. Teatri është i detashmentit të aktorëve dhe artistëve dhe këtë e kam thënë që në fillim. Por vetëm studentët e përqafuan parullën time kur protestuan me devizën: Larg politika! Vetëm ata më kuptuan mua.

Unë e kam thënë që ne jemi historikisht në opozitë me shtetin. Beteja jonë është me shtetin. Kujt i thua?! Ata duan të bëjnë karrierë politike dhe administrative, le të bëjnë, punë e tyre. Unë jam artist dhe qëndroj në këto pozicione’, u shpreh Asqeriu.