Ballina Editorial Krijimi i Gjykatës Kushtetuese, i Gjykatës së Lartë dhe Presidenti, afër apo...

Krijimi i Gjykatës Kushtetuese, i Gjykatës së Lartë dhe Presidenti, afër apo larg?

Eduard HALIMI 

Deri para se Presidenti i Republikës të fliste qartë dhe hapur mbi vonesat që po shkaktoheshin nga institucionet e reja për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, nuk kishim asnjë informacion se sa afër apo larg ishte ngritja e tyre. Përpos debateve politike, mes Presidentit dhe Kryeministrit apo Kuvendit, Presidenti e ka për detyrë t’i bëjë të qartë opinionit publik, informacionin dhe qëndrimin që ka lidhur me procesin. Ai u shpreh qartë për vërejtjet që kishte në lidhje me KLGJ dhe kjo e fundit, më në fund, lëvizi. Pasi unë besoj se KLGJ, KLP dhe KED kur nuk janë transparente, ato nuk është se po vendosin në bindjen e tyre, por ndoshta mund të flirtojnë me palën që ka pushtetin, së cilës sigurisht që i intereson mjegulla. Të vetmit që nuk u intereson mjegulla, janë qytetarët, opozita dhe, sigurisht, Presidentit të Republikës, i cili duhet të marrë vendime me akte presidenciale bazuar në Kushtetutë.

Në terrenin e një krize të fortë politike dhe institucionale, pakkush e kishte mendjen te procesi i krijimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Larte, por jam i bindur se nëse do të ishin krijuar, konflikti politik do të ishte më larg tensionit pas vendimeve eventuale që do dilnin, të mira apo të këqija për të dyja palët. Mungesa e Gjykatës Kushtetuese u evidentua si problem jo vetëm i retorikës apo propagandës, por si institucion themelor që, nëse krijohej sipas Kushtetutës (e pavarur dhe profesionale), mund t’u jepte përgjigje disa çështjeve të konfliktit.

Për ne, që u morëm me diskutimin/miratimin e paketës, e kishim shumë të qartë atë që do të ndodhte pas tre vjetësh, dhe nuk ka asnjë çudi, të tjerët që as merrnin mundimin t’i lexonin, por dëgjonin propagandën, sot çuditen. Mjafton të shohësh dy raportet e Komisionit të Venecias dhe dallimet mes tyre, në dhjetor 2015 dhe mars 2016, ku Komisioni (faqe 5, III/A10), thoshte se ndryshuam qëndrim nga dhjetori, lidhur me shqetësimin e opozitës për vakancat e institucioneve të reja, pasi ekspertët e nivelit të lartë (pjesë e maxhorancës) na bindën se ka burime njerëzore pa fund dhe nuk do të krijoheshin probleme me vakanca në institucione. Sot, përveç Z. Vasili, që në atë kohë ishte me maxhorancën, askush nuk na ka dhënë të drejtë. Kur paketa krijoi defektin e parë të saj me zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm (debat i gjatë mes nesh dhe ky), zgjidhja erdhi sui generis dhe mjaft “krijuese”. Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm. Mjafton të shohësh në media sesi me kundërshtimin e fortë, e gjithë maxhoranca (dhe jo vetëm), në tetor 2017, kur më thoshin: “është e përkohshme, vetëm 2 muaj, deri në janar, pastaj do e zgjedhin të përhershmin”. Më pas, gjithë “superekspertët” në kor: “është për 2 muaj, maksimumi 3. Pse jeni kundër reformës?” etj., etj.

U kujtova për këtë debat të 2 viteve më parë kur lexova se me problemin e dytë që ka dalë me paketën, Gjykatën e Lartë, “ekspertet” kanë sugjeruar gjyqtarë të lartë të përkohshëm, e njëjta zgjidhje sui generis, me qëllim të qartë si e para: alibia.

Gjithsesi, le të shohim para tani dhe po përpiqem të jem më pozitiv, pasi më e rëndësishmja është krijimi i këtyre institucioneve të reja, si për politikën, aq dhe për biznesin e qytetarët. Dhe krijimi i tyre, siç premtohet në shtator nga disa eksponentë, mund të jetë lajm i mirë, nëse nuk është e njëjta alibi e dy viteve më parë që përmenda më lart.

Por, që të jenë lajme të mira për të gjithë, duhet të garantohet fort respektimi rigoroz i Kushtetutës së miratuar me 140 vota, procedurat dhe cilësia e përzgjedhjes, në mënyrë që institucionet e reja të jenë profesionale, me integritet dhe mbi të gjitha të pavarura nga palët politike.

Nëse këto elemente përmbushen, me siguri do të jemi të gjithë brenda pritshmërive. Njerëzit që merren me politikën aktive apo janë të përfshirë në proces, kanë shumë më tepër informacion mbi kandidatët dhe procedurat që po ndiqen sesa unë, megjithatë ka disa çështje që duhen trajtuar para se të vijmë tek anëtarët e emëruar, në mënyrë që të mos jenë “të vesuar” që në embrion. Vetëm bërja transparente e procesit dhe debatit do të sjellë progres pozitiv, e kundërta do të ngrejë dyshime për kapje. Ndaj, transparenca ndihmon që përveç shqetësimit se jemi i vetmi vend në botë që nuk kemi as Gjykatë Kushtetuese dhe as Gjykatë të Lartë, të shohim përpara sesi mund të zgjidhet kriza institucionale e drejtësisë dhe të garantohet sundimi i ligjit.

që diskutuam/miratuam paketën kushtetuese të Reformës në Drejtësi, por gjithë opinion publik, shqiptar dhe ndërkombëtar, ka qenë i vendosur për kandidatët e institucioneve e reja të drejtësisë: Të kenë kaluar me sukses procesin e vetingut me VENDIM PËRFUNDIMTAR.

(KLGJ, me vendimin 75/2019, e ka respektuar kushtin ligjor të parashikuar në ligjin 84/2016, edhe KLP duket se ka marrë një vendim të ngjashëm për SPAK).

Pavarësisht debateve mbi vlerësimin pozitiv/negativ, qasjen e palëve politike mbi sistemin, kushti, pra, i panegociueshëm duhet të jetë vendimi përfundimtar i vetingut. Pra, qytetarët shqiptare, duhet të shohin kandidatët dhe më pas anëtarët e këtyre organeve të reja, VETËM PASI TË KENË KALUAR VETINGUN ME VENDIM PËRFUNDIMTAR e të jenë të pastër.

Sipas nenit 125 të Kushtetutës (amendimi i miratuar në 2016), Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 (nëntë) anëtarë: 3 (tre) i zgjedh Presidenti, 3 (tre) Kuvendi dhe 3 (tre) Gjykata e Lartë. Për sa i përket Kuvendit dhe Gjykatës së Lartë, në Kushtetutë është parashikuar mekanizmi zhbllokues me afate të përcaktuara kushtetuese, ndërsa për zgjedhjen nga Presidenti, mekanizmi është përcaktuar në ligjin 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin e Gjykatës Kushtetuese”, i ndryshuar në 2016. Pra, është KED që do vendosë në lidhje me kandidaturat dhe nëse kjo nuk u pëlqen organeve kushtetuese, Kuvendit, Presidentit apo GJL, vendimi i përket të parit që ka zgjedhur KED. Pra, procesi thelbësor, sipas Kushtetutës, i ngelet KED. (Nuk është sekret qasja që palët politike kanë ndaj KED aktuale, por unë nuk dua të bëj sot komente për këtë.)

Vendosja e një skeleti të tillë formimi ka qenë një debat i gjatë mes nesh që diskutuam/miratuam draftin e reformës, dhe një ditë tjetër do të flas se përse u vendos që të ishte ky format, edhe me insistimin e opozitës, por përbërja me 3 forume, me mandate të plota dhe mandate plotësuese, përbën shtyllën kurrizore të formimit të Gjykatës Kushtetuese, me qëllimin e mirë që askush që ka shumicën në Parlament, qoftë e majta apo e djathta, të mos kenë mundësi të emërojnë shumicën e anëtarëve. Kjo ishte një nga heshtjet që Venecia mbështeti opozitën në opinionin përfundimtar të marsit 2016, C 38-39, faqe 10, duke konkluduar se zgjedhjet e anëtareve të Gjykatës Kushtetuese të mos i përkasin një force politike.

Sot, për 3 anëtarët e Gjykatës së Lartë, jemi shumë larg dhe nuk ka shans të propozohen dhe përzgjidhen brenda këtij viti. Ndërsa për 6 të tjerët ekziston mundësia. Pas një mungese të fortë transparence nga KED/ KLGJ/KLP, me nxitjen e Presidentit, filluam të shohim lista kandidatësh. Kuvendi ndihet komod me KED dhe ndoshta e ka të qartë atë që po ndodh, përfshi dhe paqartësinë e situatës politike që nuk ka fare vëmendje te GJK/GJL/SPAK. Reagimi i Presidentit, pak ditë më parë, edhe pse pak i vonuar, i ka shërbyer fort lëvizjes së institucioneve të drejtësisë. Deri para se të fliste Presidenti, KLGJ nuk ishte ndier fare për përzgjedhjen e kandidatëve për Gjykatën e Lartë, ndërsa KED ende nuk ka ndonjë reagim të paktën publik.

Por, ende nuk dimë nëse KED, për të cilën kemi diskutimin sot, për krijimin e Gjykatës Kushtetuese, po ecën në drejtimin e KLGJ/ KLP për të përzgjedhur nga lista vetëm ata që kanë përfunduar me vendim përfundimtar vetingun. Maxhoranca ndoshta e di, opozita nuk ka folur për këtë, ndërsa Presidenti ka reaguar.

Nëse bëjmë një analizë të vogël statistikore, duhet që KED të propozojë 9×3=27 kandidatë, ose minimumi 6×3=18 kandidatë për 6 vendet, 3 nga Kuvendi dhe 3 nga Presidenti. Por në listën që ka KED, nuk gjenden 18 kandidatë që kanë kaluar vetingun me VENDIM PËRFUNDIMTAR.

KED hesht dhe nuk kemi asnjë njoftim, përveç atyre që thotë kreu i KED dhe maxhoranca se në shtator do të krijohet Gjykata Kushtetuese.

Përmbushja e kritereve Kushtetuese nga kandidatët dhe transparenca në procesin e përzgjedhjes janë parime thelbësore për ngritjen e institucioneve të reja të Drejtësisë dhe pa dyshim të institucionit më të lartë, që është Gjykata Kushtetuese. Këtyre parimeve, askush, por të paktën Presidenti, nuk mund t’u ikë, jo vetëm se është kushtetues dhe ligjor, por se ai, Presidenti, e ka për detyrë institucionale të shprehet me dekret nesër.

Hapja e këtij diskutimi është e rëndësishme për 2 arsye, e para sepse ka lidhje me përvojën e gjatë dhe precedentët e Presidentëve para Ilir Metës, dhe, e dyta, me procesin, i cili siç ka interpretuar më herët Gjykata Kushtetuese Shqiptare, por edhe simotrat në vendet e BE-së, duhet të jetë ndërveprues dhe jo të vihen palët para faktit të kryer dhe të vijojnë debatet. Qëndrimi i kreut të KED, që lexova para pak ditësh se nuk pyesim për Presidentin, duhet të jetë ndonjë spekulim i mediave, shpresoj në rastin më të mirë.

Nëse nuk do ishte spekulim dhe se maxhoranca do t’i emëronte e vetme të 6 anëtarët, atëherë kjo zgjedhje do të ishte në kundërshtim të plotë me Kushtetutën, po aq me vullnetin e kushtetutëbërësit dhe vetë Komisionit të Venecias, faqe 10, C38- 39, për Shqipërinë dhe opinionit të dhënë për Malin e Zi ( CDL-AD, (2013) 028, Opinion për projekt-ndryshimet në tri dispozita kushtetuese në lidhje me Gjykatën Kushtetuese, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Këshillin Gjyqësor të Malit të Zi, paragrafi 21.)

Ky debat nuk duhet të ndodhë në momentin e përcjelljes së kandidatëve, sepse nuk do t’u bënte mirë as institucioneve KED-President, por as edhe vetë Institucionit të Gjykatës Kushtetuese, që do lindte me ves apo mes polemikash. Këto polemika, nëse do ekzistonin, duhet të zgjidhen para se të vijë momenti nëpërmjet dialogut dhe ekspertëve.

Dhe për këtë duhet vullnet i mirë, aq më shumë sot, kur Gjykata Kushtetuese duhet kaq shumë të jetë e lirë dhe e pavarur. Por, në situatën kur KED hesht, as nuk jep informacion mbi kandidatët e listës, vendimet përfundimtare të vetingut, apo më keq flet për ekskluzivitet dhe injorim të institucioneve të tjera, dhe, nga ana tjetër, maxhoranca kërcënon me shkarkimin e Presidentit, të cilin duhet ta çojnë në Gjykatë Kushtetuese, e cila akoma nuk është krijuar, skenarët bëhen konfuzë dhe të mjegullt.

Krijimi i Gjykatës Kushtetuese ose do jetë afër, duke emëruar të anëtarët dyshja KED-Parlament, sipas vullnetit jo të mirë dhe në kundërshtim me Kushtetutën dhe Komisionin e Venecias, ose do të jetë pak më larg nëse synohet një Gjykatë Kushtetuese e pavarur. Dhe kjo e fundit do të mund të realizohej me gjetjen e 18 kandidatëve për plotësimin e 6 vendeve në Gjykatën Kushtetuese nga KED, duke respektuar kriteret kushtetuese/ligjore dhe do të propozohej listë prioritare për përfundimin e vetingut për kandidatet para se t’i dorëzohej Presidentit.

*Ish-ministër i Drejtësisë, ish-nënkryetar i Komisionit të Reformës në Drejtësi

Exit mobile version