Pushtohet nga trupat speciale Bashkia e Devollit, qytetarët në protestë

Forca të shumta policore kanë rrethuar me të gdhirë Bashkinë e Devollit. Kryebashkiaku i ri socialist i dalë nga 30 qershori, Eduard Duro, ka mbërritur në ambientet e bashkisë që prej orës 06:30.

Por, më pas, edhe ish-kreu i bashkisë Bledion Nallbati mbërriti në bashki, bashkë me administratën. Brenda bashkisë ka forca speciale.

“Unë jam kryetari i ligjshëm i bashkisë, i zgjehur nga 59 përqind e qytetarëve. Do jem këtu çdo ditë, 24 orë në ditë. Do të vazhdoj tju shërbej qytetarëve. Bashkia është pushtuar. Nuk di çka ndodhur me dokumentacionin që ndodhet në zyra. Administrata nuk mund të hyjë në bashki dhe të nisë punën nën terrorin e policisë.” – u shpreh Nallbati.
Eduard Duro, i cili u betua të premten, mori zyrtarisht detyrën.

Eduard Duro, është futur forcërisht në ambientet e Bashkisë. Ai mbërriti pranë institucionit menjëherë sapo kryebashkiaku në detyrë, Bledjon Nallbati i Partisë Demokratike, përfundoi orarin zyrtar të punës dhe u largua prej aty.

I shoqëruar nga prefekti i Korçës, Dhori Spirollari, Eduard Duro e ka gjetur mbyllur derën e Bashkisë, por ajo është hapur duke shkatërruar bravën, pas vendimit të marrë nga një komision i ngritur nga përfaqësuesit e PS. Ka qenë një punonjës i bashkisë i cili ka thyer bravën e derës siç duket edhe në këto foto, duke e hapur atë, në mënyrë që të futet në zyrën e tij kryebashkiaku i ri.

Në Devoll pati përplasje dhe tensione, pasi socialistët vendosën të konstituonin këshillin bashkiak. Eduard Duro u betua në ilegalitet si kryetar i ri i bashkisë, në ambientet e Prefekturës, pasi demokratët nuk pranuan të lironin Bashkinë. Për opozitën, 30 qershori është nul, pasi më herët presidenti i Republikës me dekretin e datës 10 qershor, anuloi zgjedhjet vendore.