Katër Erionë dhe një Veliaj…

Nga Agim XHAFKA

Sot u ktheva nga Ohri drejt Tiranës.

Në mëngjes, sapo i thashë mirëutakofshim recepsionistit të hotelit, më zw rrugën një makinë e Shqipërisë. Bëhu pak më anash, i thashë, sa të kaloj.

Më pa sikur isha vrasësi i babait të tij.

-Mos bëj fjalë, të lutem, – më tha gruaja.

Po zjeja, por heshta. Prita e pas plot 20 minutash erdhi zonja e tij, vendosi valixhen prapa, mbylli bagazhin e u nisën. Ne pas tyre.

Në Qafë Thanë radhë makinash. U futëm dhe ne në atë varg, kur anash si predhë kalon një ‘Benz’ i madh e del i pari. Nuk durova, hapa derën e i bërtita policit. Ai as më ktheu kokën. Një burrë ngjitur me makinën time më këshilloi:

-Mos u merr me mafiozët!

Hyra në makinë. Poshtë kufirit, pa hyrë në Përrenjas ka plot lavazhe. Një çun i ri mbante një zorrë uji në dorë e lagte gjithë makinat që kalonin. E kishte si ftesë për t’u larë. I rashë borijes të mos na qullte se dje e kisha bërë xixë veturën, i bërtita ta largonte ujin, por tamam në fund të fjalisë ma hodhi m’u para xhamit të parë. Ndalova, desha të zbrisja, por m’ua frua një çun, shoku i vet e më tha:

-Lere se ka pirë ca dopjo raki.

Heshta, ika përpara. Në rrugën e metalurgjikut në Elbasan më parakalon një fuoristradë tamam atje ku tabela e ndalon, por për fat të keq atij para i del një maune e s’kishte ku të shkonte, ngjitet me mua. U shmanga, gati dola nga rruga. U nxeha, por nuk i fola se iku si predhë e më la glasën.

Ndërkohë në radio dëgjoj se Kopshtin Botanik te Liqeni qeveria ia kalon si pronë Erion Veliajt. Pra Bashkia do na u merrka dhe me studimin e llojeve të luleve e bimëve. O zot, na ruaj mendtë e kokës!

Bash nga ky lajm ia nisi të bërtitmes gruaja:

– Çfarë populli jemi kështu? Do mbjellkan pallate dhe kulla ndaj e morën truallin. Veliaj as që merr mundimin të bëjë transparencë të problemit. Jemi pasivë sa më s’ka, më dele se ne nuk gjen mbi dhe!

Aty nuk durova më,fola, por i nxehur.

-Pasivin gjithkush ta kërkojë te vetja. Edhe në është apo jo dele të pyesë kushdo ndërgjegjen e tij,- ia nisa.- Katër Erionë na e nxinë jetën sot.

Sa u nisëm një Erion na zuri rrugën. Hesht, më the. Në kufi hyri një Erion pa radhë. Lere se është i mafies, më këshilloi dikush. Një Erion na lagu me zorrë. Heshtëm se ishte i dehur. Erioni i fuoristradës për pak na çoi në Sharrë e nuk ndaloi as të na shihte se mos kishim nevojë për mjek.

Kështu jemi si popull.

I vëmë drynin gojës e Erionët bëhen bashkë, prodhojnë monstrën Veliaj që rriti taksat, shtrenjtoi biletën e urbanit, shtoi për pensionistët një pagesë që e quan shkollore, po rrjep troje e po jep koncesione. Quan qenër të gjithë ata që duan informacion për aferat e tij.

Askush nuk u ngrit, askush nuk foli se sharra nuk na ka mbërritur ende në kockë.

Por po e hëngrëm këtë herë atëherë bast që ai do na shesë dhe ajrin që thithim.

E do na e quajë oksigjen pylli, jo helm Tirane.

Doja të vazhdoja, por e pashë që po grija kot. Ajo kishte vënë kufjet e te ekrani i radios lexova se po dëgjonte Rita Orën.

Bjeri legenit byrazer, i dhashë zemër vetes.

Ndaj i rashë borijes kot.

Të mos quhesha sikur u dorëzova…