Neymar – Messit: Dua të kthehem në Barcelonë!

E përditshmja katalonase, Sport, raporton se ylli i Paris Saint-Germainit, Neymar, i ka thënë kapitenit të Barcelonës, Lionel Messit, se dëshiron të kthehet në Barcelonë gjatë afatit kalimtar të kësaj vere.

Mediat botërore kanë raportuar se Neymari do të largohet nga Paris Saint-Germaini kët verë për t’iu bashkua Barcelonës, dy vjet pasi kishte vendosur të largohej nga klubi katalonas.

PSG-ja i shpenzoi 222 milionë euro për t’i siguruar shërbimet e brazilianit atë verë, mirëpo tani raportohet se ai nuk është i lumtur me jetën në Parc des Princes dhe dëshiron ta ketë një sfidë të re.

Neymari u largua nga Barcelona dhe shkoi në Paris Saint-Germaini pasi që dëshironte të bëhet ylli i skuadrës dhe ta fitojë titullin e Ligës së Kampionëve, mirëpo në dy sezonet e tij në Paris, gjiganti francez është eliminuar nga fazën e 1/8 të finales nga Championsi.

Përveç Barcelonës është përfolur se edhe Real Madridi është i interesuar për Neymarin. “Los Blancos” kanë ëndërruar ta kenë Neymarin në skuadër tash e një kohë të gjatë, që kur ai ishte ende lojtar i Santosit.

Megjithatë, e përditshmja katalonase, Sport, thotë se Neymari i ka thënë Messit se dëshiron të kthehet në Barcelonë këtë verë. Të njëjtën gjë besohet se ia ka thënë edhe Luis Suarezit. Dy yjet e Barcelonës e dëshirojnë gjithashtu kthimin e Neymarit.

Megjithatë, ende nuk dihet nëse drejtuesit e Barcelonës do të jenë të gatshëm të shpenzojnë para për brazilianin, pasi që janë të interesuar edhe për disa lojtarë të tjerë.

Matthijs de Ligt, i cili ka shkëlqyer për Ajaxin gjatë sezonit 2018/19, është prioriteti i Barcelonës për këtë verë. Katalonasit do të tentojnë ta marrin edhe Antoine Griezmannin, i cili ka bërë të ditur se do të largohet nga Atletico Madridi këtë verë.