Ballina Aktualitet Më mirë Kryeministria bosh se shejtani brenda!

Më mirë Kryeministria bosh se shejtani brenda!

Agim POPOCI

Edi Rama tashmë pa frikë mund të thuhet se është një diktator i plotfuqishëm. Përveç ndryshimit të emrit të partisë, mënyrës së qeverisjes tashmë kemi edhe ligjërimin e përqeshjeve dhe shprehjeve të tij idiote ndër krerët e rilindjes dhe jo vetëm, edhe kur shprehja nuk ka sens.

Por, foli i Madhi!
Dhe çuditërisht përqeshjet më të mëdha, sot ai i bënë me dy elementët kryesor që atë e bënë lider të opozitës dhe faktor për tu ulur në tryezën e bisedimeve, në kohën kur nuk dinte të bënte as politikë, as opozitë e sa për kryetar bashkie, qytetari i tha me votë, ikë nga Bashkia e Tiranës!

Sot Edi Rama mund të ishte njeri i harruar, rrezik do ti kthehej shoqërisë së minjve të lumit Sena sikur mos të ishte Ilir Meta dhe Gjykata Kushtetuese. Por, që të dy, si Iliri edhe Gjykata që e faktorizoi si lider, sot janë armiqtë më të mëdhenj dhe më të përfolur të Kryeministrit Rama dhe jo vetëm.

Ilir Meta jo që e ka besuar tej mase por nuk e ka çuar nëpër mend se Edi Rama mund të bëhet armik i tjetrit istikam. Por, ja që ndodhi! Dhe, fajtor për këtë situatë nuk është Edi Rama por ekskluzivisht Ilir Meta.

Ndonëse të gjithë e e kishin menduar kthimin e Metës ndër socialistë me idenë e largimit të Edi Ramës, strategjia e tij prej fshatari filloi të ngel mbrapa që nga ditët e para të qeverisjes.

Kur Edi Rama u bë Kryeministër me ndihmën e Edi Ramës, vendimi i parë që mori ishte largimi i fotografisë së Presidentit nga institucionet. Opozitarët u indinjuan, Ilir Meta qeshte, por Edi Rama nuk e kishte me individin, siç u interpretua, por me idenë se dikush edhe mund ti rrijë mbi kokë, se dikush, edhe me Kushtetutë është mbi Kryeministrin ndonëse e kishte bërë çorapë Kushtetutën e Shqipërisë pesë vjet para se të ulet në fronin kryeministror. Jo, jo ai ishte shefi i vetëm, si Ministër i Kulturës, si kryetar i Bashkisë së Tiranës, si kryetari i PS dhe sot si Kryeministër.

Njeriu që nuk punoi dhe nuk punon në ekip, njeriu që jep urdhra dhe njeriu që, çuditërisht vetëm Ilir Meta nuk e kuptoi, filloi ngjitjen në karrierën e tij pas debaklit që pësoi kundër Lulzim Bashës për kryetar bashkie, për të arritur deri tek hakmarrja me çdo çmim dhe pas asnjë sens.

Sot Ilir Meta nuk është President i askujt, pa pikën e lidhjes, jashtë lojës dhe me frikë edhe nga hija e vetë, dhe natyrisht me një Kryeministër i cili pas ndryshimeve Kushtetuese të vitit 2008, dhe me Reformën në Drejtësi, vetëm deliri mund ta mposhtë!

Gjykata Kushtetuese, kjo çerdhe komunistësh, me vendimet e saj që në kohën kur Edi Rama ishte lider i opozitës, i bëri një shërbim të madh partisë dhe jo vetëm. Sikur Gjykata Kushtetuese të pësonte goditje të tillë nga Partia Demokratike, nuk mund të parashikohet se çfarë do ti ndodhte këtij vendi, por që do të pëson goditje nga partia mëmë, këtë nuk e kishte menduar asnjëri prej këlyshëve komunistë.

Shërbimi që Gjykata Kushtetuese i bëri Edi Ramës, me Marrëveshjen me Greqinë për Detin, është shërbimi më i madh që i është bërë këtij politikani injorantë që nga dita kur shkeli në moçalin e politikës shqiptare. Vendimi që bëri nul këtë Marrëveshje dhe u trumbetua si tradhti kombëtare e Sali Berishës, i atribuohet Edi Ramës ndonëse kishim të bënim me një vendim kolektiv të Gjykatës Kushtetuese.

Fuqinë e kësaj Gjykate, Edi Rama e kuptoi me këtë vendim edhe pse kishte beteja të tjera të fituara, dhe për të mos lënë një institucion në këtë tokë shqiptare që të bënë gjëmën, ai silurin e Reformës në Drejtësi e ktheu nga Gjykata Kushtetuese; Ajo me të cilën Edi Rama goditi rëndë Sali Berishën dhe që dje, sot ose nesër mund ta godiste edhe Kryeministrin e ri të Shqipërisë, pavarësisht që quhet Edvin Kristaq Rama.

Pronat, Marrëveshja me Detin, Opozita dhe Presidenti Meta, ishin pengesat që në të ardhmen do ti paraqiteshin në rrugëtimin e tij të kanabizimit dhe grabitjes së këtij vendi. Kështu në emër të Reformës në Drejtësi, gardianit të Kushtetutës fillimisht i ndali qarkullimin e gjakut me qëllim për ti ndalur edhe zemrën.

Në grahmat e fundit të Gjykatës Kushtetutës, Marrëveshja që bëri vetë Edi Rama me Greqinë ose më saktë Ditmir Bushati, dëshmoi se pse silurët e Reformës në Drejtësi u drejtuan nga Gjykata Kushtetuese. Ilir Meta jo, por opozita alarmoi ndërkombëtarë për djallëzinë e Edi Ramës, por Reforma në Drejtësi mbulonte çdo gjë, madje edhe shkarkimin e gjyqtarit të kësaj Gjykate se “nipi i kishte pasur në një moment ca gram drogë në xhep, dhe hataja ishte se kishte udhëtuar me makinën e gjyqtarit”.

Dhe, denoncimin nuk e bënte ndonjë klerik fetar, jo, jo, bashkëpunëtorët e Edi Ramës, kanabizuesit e tokës shqiptare, të cilët pa drogë nuk do të fitonin as edhe një parë zgjedhje që nga krijimi i rilindjes; Ca gjyqtarë të tjerë nga tmerri i vettingut në drejtësi dhanë dorëheqje, dhe përfundimisht Gjykata Kushtetuese u shua.

Pas kësja vdekje klinike, doli nga goja e Kryeministrit edhe shprehja e famshme: “Më mirë djepi bosh, se sa shejtani brenda!”
Gjithçka që bëri Edi Rama pasi “djepi ishte bosh” filloi ta kthejë paligjshmërinë në normalitet.

Dekretet që dikur i ktheheshin Presidentit Bujar Nishani dhe Kryetari i Parlamentit, Ilir Meta, gajasej me veprimet e Kryeministrit iu kthyen në bumerang Presidentit aktual. Opozita ngeli pa filtrin e fundit ligjor, Gjykatën Kushtetuese, dhe foltorja e parlamentit për të mos u kthye në komedi e detyroi të largohet nga Parlamenti i Krimit.

Por historia me “djepin” filloi të ligjërohet jo vetëm në Zyrën e Kryeministrit. Ai u bë postulat rilindas dhe humor për Mogherinin, Sorecën dhe Boschartin ndonëse ishte një fjalë e urtë popullore shqiptare, dhe sot, kur opozita ka intensifikuar protestat, kur radhët e tyre po shtohen, kur kriza politike është në kulmin e saj dhe Edi Rama nuk dënjon për tu tallur me shqiptarët edhe kur Shqipëria është buzë humnerrës, zgjidhja gjendet pikërisht në marrëzinë e tij të shpikur.

Po, Shqipëria është në krizë, por pavarësisht se si lideri i mazhorancës, Edi Rama ashtu dhe ai i opozitës Lulzim Basha, janë shumë larg përafrimit të qëndrimeve për një dialog fatlum për shqiptarët, ku njëri e ka ndarë mendjen ti bëjë zgjedhjet pa opozitën dhe tjetri i ka bërë të qartë se zgjedhje pa opozitën nuk ka, zgjidhja është në Zyrën dhe mendjen e Kryeministrit Edi Rama: “Më mirë Kryeministria bosh se shejtani brenda!”

“Pa frikë.al”

Exit mobile version