Basha: Anullim tenderit Milot-Balldren, Ramën, Ballukun e Gjiknurin i presin hekurat!

Kryetari i PD, Lulzim Basha është betuar para qytetarëve të Kurbinit se nuk do të lejojë të realizohet kontrata koncesionare për rrugën Milot-Balldren.

Në një takim në Laç, Basha falënderoi kurbinasit për mbështetjen duke thënë se, nga Kurbini do vijë fundi i pushtetit të krimit.

Sa i përket rrugës Milot-Balldren, Basha tha se, një hajdutëri të tillë nuk e ka njohur e dëgjuar Europa, duke paralajmëruar firmën ANK e ata që fshihen pas saj të mos hedhin asnjë lopatë dhe.

“Vetëm pak kilometra prej këtej po planifikohet një hajdutëri që ia tejkalon në përmasa e pacipësi edhe hajnisë kriminale tek Unaza e Re. Milot –Balldren, 260 mln euro për 17 km. Hajdutëri të tillë nuk ka njohur e dëgjuar Europa.

Hajdutëri të tillë shohin vetëm vendet ku populli ka mbaruar, e ka ulur kokën dhe e ka pranuar të keqen. Por ne nuk jemi ai lloj vendi. Atëherë kjo është një lloj tjetër hajdutërie, e hajdutit që vjedh sikur nuk do të ketë të nesërme.

Të marrim çfarë të marrim. Dua t’i them ANK dhe atyre që fshihen pas ANK, çdo banke shqiptare, mos guxo një lopatë të vetme dheu sepse dheu do e mbulojë turpin e kësaj afere korruptive. Kjo kontratë do varroset.

Edi Rama, Belinda Balluku, Damian Gjiknuri do shkojnë para drejtësisë. Zotohem para kurbinasve, para Kishës së Laçit se nuk do keni shans të vidhni shqiptarët me këtë kontratë krimi. Ju presin hekurat”, deklaroi Basha.