Ballina Aktualitet Doris Pack: Protesta s’duhet të ndalet, ata që duan të prishin Teatrin...

Doris Pack: Protesta s’duhet të ndalet, ata që duan të prishin Teatrin duhet të kenë frikë…

Politikania e njohur europiane, Doris Pack pranon të jetë zëri përfaqësues i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit në kancelaritë perëndimore. Ajo shprehu zhgënjimin e saj që Tirana po tjetërsohet në qytet me kulla të larta, që s’përfaqësojnë asgjë nga shpirti i qytetit, por veç interesin e kryeministrit dhe të kryetarit të bashkisë së kryeqytetit

Në aktivitetin “Qytetarët dhe zëri i tyre në mbrojtje të trashëgimisë”, që u mbajt në orën 10 në një mjedis pranë godinës së Teatrit Kombëtar ka bërë ndërhyrjen e vet edhe Doris Pack, politikane e njohur dhe e angazhuar edhe në komisionin për çështjet e kulturës në Parlamentin Evropian. Ajo tha se ndihej shumë e dëshpëruar kur shihte se ç’po ndodhte me trashëgiminë në qytetin e Tiranës.

“Disa prej jush e kujtojnë darkën kur kam qenë në sheshin e teatrit, këtu në Tiranë, tha zonja Pack. Jam shumë e lumtur që ju nuk jeni dorëzuar në mbrojtjen e këtij monumenti kulture. Viti që mbyllëm, 2018-a ishte viti i mbrojtjes së trashëgimisë në Evropë, dhe të gjithë drejtuesit, pushtetarët kryetarët e bashkive u angazhuan se do të bënin çmos që trashëgimia e qyteteve të ruhet për brezat që vijnë.

Të gjithë e pamë shokun që pësuam nga djegia e Notre Dame në Paris. Ashtu edhe ju duhet ta ruani trashëgiminë tuaj në qendër të Tiranës.

Sa herë vij në Tiranë është një pjesë që më prek në zemë, sepse këto kohë kur vjen në Tiranë sheh vetëm ndërtesa të larta që s’tregojnë asgjë për shpirtin e Shqipërisë. Mendoj se të gjithë, sidomos kryetari i bashkisë duhet ta rikonsiderojnë çështjen e Teatrit Kombëtar, theksoi zonja Pack. Shëtitorja që është pas nesh, është financuar nga fondet e BE, pra le të themi se janë paratë tone”.

Pas ndërhyrjeve të disa prej përfaqësuesve kryesorë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, si të regjisorëve Kastriot Çipi e Edmond Budina, dhe të aktorit Neritan Liçaj, politikanja e njohur pranoi që të ishte zëri I Aleancës për Teatrin pranë kancelarive perëndimore.

“S’e kam kuptuar asnjëherë pse kryeministri do t’ua heqë qytetarëve Teatrin Kombëtar, për të ndërtuar kulla, dhe si është e mundur që kryetari I bashkisë ka rënë dakord me këtë gjë, tha zonja Pack. Është një nga ato gjëra që kudo në Perëndim do të zgjidhej vetëm nëpërmjet një referendumi, ku qytetarët vetë do të zgjidhnin nëse duan kulla të larta apo të ruhet ky element i trashëgimisë kulturore.

Kam dëgjuar shumë politikanë që thonë se s’ka pse të kemi më drojë nga qendrimet e zonjës Pack, tha ish-eurodeputetja, por duhet të jetë e qartë se kjo është një nga ato çështje me themel, për të cilat po shkelet çdo normë morali, dhe po, ata politikanë që po e bëjnë këtë, duhet të kenë frikë”.

Exit mobile version