Berat-Fier, rruga që ka humbur udhën…

Nga Namir LAPARDHAJA

Pamjet në foto janë të aksit nacional Berat-Fier, i cili, siç shihet, nuk përmbush asnjë kriterë të rrugës automobilistike.

Për parantezë, ju kujtoj që qarku Berat së bashku me atë Fier kanë gjithsej 23 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë (përafërsisht 16% të numrit të përgjithshëm). Prej tyre, 14 janë të mazhorancës (10 në Fier, 4 në Berat), pjesa tjetër e opozitës. Në qarkun Fier kryeson zëvendëskryeministri (ish-deputet në Berat) së bashku me Kryetarin e Kuvendit, ndërsa në qarkun Berat kryeson ministri i Turizmit.

Pjesa problematike e këtij segmenti nuk është më shumë se 20 km dhe përfshin rrethrrotullimin e Poshnjes (Bashkia Urë Vajgurore) deri në njësinë administrative Strumë (Bashkia Roskovec). Gjatë këtij segmenti ndodhen disa njësi administrative dhe fshatra (Kutalli etj.), të cilat për nga dëndësia e popullsisë mund të jenë zonat më të populluara të të gjithë qarkut Berat.

Po ashtu, kjo është zona më me shumë prodhimtari të perimeve, duke u shndërruar në eksportuesit më të mëdhenj në të gjithë Shqipërinë.

Aksi rrugor shërben për të lidhur më shpejt dhe më sigurt Beratin me Fierin, duke qenë një urë lidhëse për sektorin e turizmit të zonës turistike Berat me Apolloninë etj. me të gjithë bregdetin e Jugut.

Pavarësisht sa më sipër, në rrugë të drejtë makinat duken sikur notojnë në asfaltin e dallgëzuar. Një tmerr i vërtetë jo vetëm për shoferët, por për të gjithë komunitetin e kësaj zone.

Problematika nuk është e re, por ndërsa gjatë qeverisjes së PD-së, nëpërmjet FSHZH-së, u shtruan të gjithë rrugët e brendshme rurale që lidhin të gjithë fshatrat e kësaj zone, gjatë 6 viteve të qeverisjes së PS-së (2013-2019) nuk ka asnjë zhvillim dhe asnjë investim infrastrukturor në këtë zonë. Ah, dhe diçka: e gjithë zona është hambar votash i Partisë Socialiste.

Trekendëshi Lushnje-Fier-Berat ishte “Bermuda” e PD-së në 2013, sepse PD-ja e harroi rëndësinë e jashtëzakonshme të kësaj zone. Historia mund të përsëritet dhe në këtë trekëndësh mund të mbytet edhe PS-ja në zgjedhjet e radhës, ashtu siç u shpreh edhe një banorë teksa më pa që bëja foto.

Ky është realiteti. Janë jo më shumë se 20 km dhe zgjidhet një hall i madh dhe e afron shumë Beratin me Fierin, duke shmangur tmerrin dhe ankthin.

Lusim qeverinë tmerrësisht socialiste të Shqipërisë tmerrësisht të lumtur, të vërë dorën në zemër e të bëjë gjëkafshë…

2 2

3 2

4 2

 

6 2