Ish-deputeti thirrje Ramës: Pse nuk i fusni në burg ata që vodhën 40 milionë euro? Ta harroni se do t’i shijoni

Gjatë protestës së  banorëve të Unazës së Re, Balliu u ka bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen bllokimit të rrugëve që opozita do të ndërmarrë ditën e nesërme në orën 18.00 në të gjithë Shqipërinë.

Në fjalën e tij, ish-deputeti, Klevis Balliu, u premtoi banorëve se Partia Demokratike nuk do të harrojë asnjë vendim të qeverisë Rama kundër tyre, apo vjedhje që kjo qeveri i ka bërë pasurisë së shqiptarëve.

“Mirëmbrëma banorë të Unazës. Është pikërisht kjo energji që tmerron këtë qeveri dhe këtë kryeministër që gjezdiset me një ushtri me truproja nëpër Shqipëri.

Fuqi që nesër populli shqiptar do ta tregojë në 12 qarqe.

Sot një tjetër shqiptar ka vdekur në burgun famëkeq dhe ky kryeministër nuk mban një qëndrim, sepse këtij nuk i hyn në punë jeta e shqiptarit, dhe jo të shkojë në Greqi dhe ti kërkojë llogari, sepse ky është racist.

Shkon në Berlin dhe kërkon të heqë taksën Haradinaj, fut gazin lotësjellës në shtëpitë tuaja, siç bëri te Bregu i Lumit.

Sa mund të durohet ky njeri? Ky njeri është përgjegjës se e ka rritur borxhin me 2.7 miliard euro.

Tani do ta pyesim ku kanë shkuar këto para?

Këto para mund të ishin përdorur për të dëmshpërblyer banorët. Ky është një njeri anti zgjedhje. Ky është pushtues dhe duhet ta trajtojmë si të tillë, ta tërheqim zvarrë.

Pse e mbani në burg Dorian Protoduarin?

Pse nuk i fusni në burg ata që vodhën 40 milionë euro?

Tani po ju bëj një premtim.

Ju me këto dënime i keni hyrë në hak këtyre familje. Ju garantoj se Partia Demokratike nuk do t’i harrojë këto vendime.

Për dhunën, për ato vendime, për qindra të arrestuar dhe për çdo vjedhje, ta harroni se do i shijoni ato lekë”, tha Balliu.