Haradinaj: Rama më bënte presion për Serbinë në Samit

Takimi mes kancelares Merkel dhe dy kryeministrave të Shqipërisë dhe Maqedonisë e kishte fokusin tek Kosova nga ku pritej tentimi për mundësi të reja për të rinisur dialogun e bllokuar mes Prishtinës dhe Beogradit.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se është vënë nën presion dhe shantazh nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për ti hequr taksës 100% Serbisë.

Samiti i Berlinit

E gjitha kjo ka ndodhur mbrëmë në Samitin e Berlinit, në sytë e kancelares Merkel, presidentit Macron dhe gjithë liderve të rajonit. Haradinaj thotë shprehimisht se “presionin më të madh, në të gjitha gjuhët, përfshirë anglishten, e ka patur nga Edi Rama”.

Pjesë nga intervista e z.Haradinaj për televizionin “T7”

Si shkoi takimi i Berlinit?

Haradinaj: Kancelarja Merkel dhe Presidenti Macron e kanë marrë seriozisht dialogun Kosovë-Serbi. E kanë ndalë devijimin e metejshëm të konfliktit, shkuarjen në drejtim të gabuar. Dialogu i udhëhequr nga Mogherini nuk ekziston më. Nuk ka më biseda për territore, por bëhet fjalë për njohje Kosovë-Serbi, por procesi se si do të ndodhë ka ende dilema…

A është përmendur çështja e kufijve nga Merkel dhe Macron?

Haradinaj: Merkel po në vazhdimësi ka folur kundër pazarave për territore e kufi.

Çfarë u diskutua konrektisht në Samit?

Haradinaj: Pjesa e parë ishte diskutim i përgjithshëm. C’ka mendojnë vendet e rajonit mbi bisedimet Kosovë-Serbi. Ndërsa takimi i radhës më 1 korrik në Paris do jetë biletaral, vetem Kosovë-Serbi.

Biseda brenda takimit, pasi thuhet se ka qenë i tensionuar?

Haradinaj: Edhe dje isha i vetëm për taksën, krejtësisht vetëm dhe nën presion nga Edi Rama. Ai kërkonte që të mos e humbim këtë “shans” për të heq taksën. Rama e Thaçi direkt më kanë bërë persion edhe në anglisht e në gjuhë të tjera. Por insistimi i z. Rama ka qenë i pandalshëm.