Deklarata e fortë e Presidentit: Nuk është faji i opozitës që nuk ka Gjykatë Kushtetuese…

Presidenti i Republikës, Ilir Meta në intervistën e dhënë sot në mbrëmje për “Ora Neës” ka deklaruar se “opozita nuk ka asnjë përgjegjësi për faktin se Shqipëria sot nuk ka Gjykatë Kushtetuese”.

Mediu nga ‘Unaza e Re’: ‘Berlini i tha dje Ramës dhe Vuçiç që s’mund të bëni pazar me Kosovën’

Gazetarja: Te mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë ju e shihni edhe zanafillën e kësaj krize…

Presidenti Meta: Në rast se ne do të kishim sot, më falni, në qoftë se ne do të kishim sot një Gjykatë Kushtetuese funksionale e të besueshme, unë do të mbaja fjalimet më të zjarrta kundër sabotimit që po i bën opozita në Shqipëri kundër integrimit europian apo ku e di unë se çfarë po bën tjetër. Por më duhet të them se opozita nuk ka asnjë përgjegjësi për faktin se Shqipëria sot nuk ka Gjykatë Kushtetuese.

Nuk dua të them se cilët janë përgjegjësit. Presidenti ka bërë të gjitha përpjekjet, të cilat janë të mirëdokumentuara, që gjithçka të bëhet në respekt të Kushtetutës, me konsensus për të parandaluar një situatë të tillë dhe nuk mund të them se opozita ka ndonjë përgjegjësi mbi të gjitha problemet e zbatimit të reformës në drejtësi deri tani.

Gazetarja: Në këtë kontekst kur flisni për përshkallëzimin e kësaj situate, për çfarë e keni fjalën? Deri ku mund të përshkallëzohet situata?

Presidenti Meta: Nuk e di se çfarë presim më shumë në rast se bëjmë sikur nuk e shohim që sistemi i rregullave të lojës demokratike ku në radhë të parë, kemi edhe garancitë kushtetuese të vetë kësaj bashkëjetese demokratike, që është tronditur rëndë, dhe në rast se vazhdojmë të mos e shohim përpara humnerën drejt së cilës do të ecim, atëherë nuk bëjmë gjë tjetër veçse gënjejmë veten dhe përsërisim gabime tepër të rënda që i kushtojnë vendit më shumë se kujtdo tjetër.

Sipas kreut të shtetit, “partitë të largohen nga pozitat e të fortit për të bërë të mundur shmangien e krizës së pakthyeshme me pasoja të paparashikueshme.

Sipas Metës, tashmë jemi në tehun e greminës.

“Ky takim ishte një mesazh i qartë që duhen shtuar përpjekjet dhe kontributet nga të gjithë për të evituar rrëshqitjen e pakthyeshme drejt një krize të pakontrolluar, e cila vë në diskutim edhe vetë pluralizmin politik dhe vetë bashkëjetesën demokratike.

Të gjitha partitë parlamentare opozitare jo vetëm kanë vendosur të largohen nga parlamenti, por edhe një vendim tjetër për të mos u regjistruar në zgjedhjet e dekretuara prej kohësh në 30 qershor.

Mendoj që takimet janë të rëndësishme dhe janë të domosdoshme dhe të gjithë duhet të reflektojnë për të mos vazhduar askush nga pozitat e të fortit, atje në tehun e buzës së greminës. Atje këmba mund të rrëshqasë edhe pa dashje për të shkuar në një krizë të paparashikuara.

Unë shqetësimet e mia i kam ngritur prej kohësh, për përpjekjet e mia të vazhdueshme për të parandaluar një situatë të tillë, sepse mungesa e dialogut do të akumulojë një hendek që do të çojë në kriza. Këtu një problem serioz ka qenë dhe mbetet mungesa e Gjykatës Kushtetuese, problemet e mëdha të sistemit gjyqësor që në bindjen time nuk vijnë nga reforma në drejtësi, por nga mënyra e njëanshme jashtë dialogut politik dhe në mungesë të respektit, parimeve kushtetuese dhe afateve kushtetuese, për krijimin në kohë të institucioneve që do ta kishin evituar një situatë të tillë.

Më duhet të theksoj, për hir të së vërtetës dhe problemit që është krijuar se unë kam qenë kundër vetingut për Gjykatën Kushtetuese, kur ka nisur procesi i reformës në drejtësi. Kam patur shqetësimin që mund të kemi një situatë, ku të kemi një anëtar që ka mbaruar mandati, po qoftë edhe 2-3 të mungojnë nuk është pak për një trup kaq të kufizuar dhe me kaq përgjegjësi siç është Gjykata Kushtetuese.

Në Shqipëri Gjykata Kushtetuese ka qenë një institucion i respektuar dhe i pranuar nga të dyja palët. Në tërësi Gjykata Kushtetuese ka marrë vendime në përputhje me interesin kombëtar apo interesin publik. Unë në pozitën time si kryetar i Kuvendit jam kujdesur që gjithçka të shkonte perfekt  me shortin e KED në dhjetor 2016, por edhe si President në përpjekjen time për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare dhe për të shmangur çdo situatë ekstraligjore për krijimin e KED, kam bërë të gjitha përpjekjet e mia dhe për fat të keq kemi humbur më shumë se dy vjet dhe për këtë unë nuk e fajësoj dot opozitën.

Në rast se ne do të kishim sot një Gjykatë Kushtetuese funksionale dhe të besueshme unë do të mbaja fjalimet më të zjarrta kundër sabotimit që po i bën opozita në Shqipëri integrimit evropiane. Opozita nuk ka asnjë përgjegjësi për faktin që Shqipëria sot nuk ka Gjykatë Kushtetuese, nuk dua të them kush janë. Presidenti ka bërë përpjekjet që gjithçka të bëhet në respekt të Kushtetutës që është votuar me konsensus për të parandaluar një situatë të tillë”, u shpreh Meta.