Ballina Kryesore Basha: Sy për sy e dhëmb për dhëmb për demokracinë dhe zgjedhjet...

Basha: Sy për sy e dhëmb për dhëmb për demokracinë dhe zgjedhjet e lira!

Gjatë protestës në Milot, kreu i opozitës Lulzim Basha i bëri thirrje të gjithë shqiptarëve t’i bashkohen betejës së opozitës, që më 30 qershor, sipas tij, të mos ketë një tjetër krim elektoral.

Ai përsëriti edhe një herë tjetër, se ky është vetëm fillimi i mosbindjes civile.

“Çdo qytetar shqiptar e ka detyrë të na bashkohet që më 30 qershor të mos ketë një tjetër krim elektoral. Është borxhi ynë ndaj atyre që sakrifikuan për liri dhe demokraci në 50 vite komunizëm dhe 30 vjet pluralizëmm, të cilit do ti japim fund. Ndaj vetëm kështu do të mund të kthejmë normalitetin dhe stabilitetin, që ti japim mundësi qytetarëve të zgjedhin qeverinë dhe të shkarkojnë qeverinë që nuk ju shërben. Kjo është e vetmja rrugë drejt Europës dhe është synimi më madhor i shqiptarëve. Shqipëria si gjithë Europa. Ky është vetëm fillimi i mosbindjes civile”, u shpreh Basha.

Basha ka theksuar se opozita është e vendosur për të mos lejuar që në vend të zhvillohen zgjedhje farsë, ndërsa theksoi se me protestën sot nis edhe mosbindja civile.

“Protestues dinjitoz, gardanë të lirisë dhe demokracisë, misionarë të Shqipërisë Europiane. Ju falenderoj për pjesëmarrjen tuaj monumentale këtë të enjte, këtu në Milot dhe të falenderoj në emrin tuaj të gjithë shqiptarët e ndershëm në Tiranë, Elbasan, Durrës dhe Fier që nisin sot aktin e mosbindjes civile. Për të çuar deri në fund betejën që kemi nisur e për ta konkretizuar me fitore”, është shprehur Basha.

Gjatë fjalës së tij me protestuesve në Milot, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha është shprehur se, qeveria e Ramës ka rritur papunësinë, duke i shtyrë të rinjtë drejt emigrimit.

Ai shtoi se themeli i të keqes është rënia e demokracisë dhe votës së lirë.

“Vetëm një uzurpator që e ka lidhur fatin e tij me kriminelë dhe oligarkë mund të marrë vendime kriminale, të nxjerrë në mes të natës dhe në pikë të mëngjesit foshnjet, të shkatërrojë prona dhe shtëpi me të njëjtën urrejtje si uzutpatorët. Themeli i kësaj të keqe është rënia e demokracisë dhe votës së lirë. Kjo është esennca e betejës sonë. Pa zgjedhje të lira nuk hapen dyert e Europës”, u shpreh kryedemokrati.

Bllokimi po bëhet përkatësisht në rrethrrotullimin e Bradasheshit në Elbasan, autostradën Plepa-Kavajë në Durrës, kryqëzimin e Milotit në Lezhë, rrethrrotullimin e Sheqit në Fier, dhe rrethrrotullimin e Shqiponjës në Tiranë.

Exit mobile version