Ballina Politikë Basha: Përballje me të gjitha format dhe mënyrat, largim i Ramës, qeveri...

Basha: Përballje me të gjitha format dhe mënyrat, largim i Ramës, qeveri tranzitore

Largimi i Edi Ramës është kushti i parë dhe i panegocueshëm për nisjen e dialogut politik me PS, dialog i cili duhet të çojë drejt një qeveria tranzitore me mandat për të përgatitur zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Mesazhi pas vendimit të Këshillit Kombëtar është se pa largimin e Edi Ramës, shkaktarin e krizës së shumëfishtë, nuk ka dialog. Pa largimin e Ramës, do të vazhdojë përballja në të gjitha format dhe mënyrat.

PD do të futet në zgjedhje vetëm kur të garantohen kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme. PD angazhohet të pamundësojë një tjetër skenar kriminal zgjedhor, si ai i zgjedhjeve 2017.

Beteja është betejë për çdo shqiptar, për të djathtë e për të majtë, për të gjithë ata që sot janë viktima të një pushteti të korruptuar, kriminal dhe ilegjitim, i dalë nga zgjedhje të blera me krimin e organizuar.

Rikthimi i shpresës dhe mundësive për të ndërtuar jetë dinjotoze e të sigurtë në vendin e tyre mund të ndodhë vetëm duke rikthyer themelin e bashkëjetesës demokratike, votën e lirë dhe të ndershme.

BASHA, PAS MBLEDHJES SË KËSHILLIT KOMBËTAR

Pyetje: Zoti Basha, cilat janë kushtet që mund ta çojnë PD-në në zgjedhje, duke qenë se si kryesi keni marrë një vendim se në këto kushte nuk mund të hyni në zgjedhje?

Lulzim Basha: Jemi i vetmi vend në Ballkan ku qeveria është kapur duke vjedhur votat me krimin e organizuar. Jemi i vetmi vend në Ballkan, për të cilin një nga parlamentet e vendeve anëtare i ka rekomanduar Brukselit heqjen e lëvizjes së lire.

Jemi i vetmi vend në Ballkan ku, brenda 6 viteve, 500 mijë banorë janë larguar nga vendi, për shkak të pamundësisë ekonomike, për shkak të mungesës së shpresës dhe mundësive, për shkak të represionit dhe brutalitetit të një regjimi të ardhur në pushtet me ndihmën e krimit të organizuar.

Misioni ynë është i qartë. Këshilli Kombëtar, në mbështetje edhe të vendimeve të mëparshme dhe në përgjigje të aspiratës mbarëqytetare për ndryshim, sot ka sanksionuar hapat për betejën tonë politike, e cila ka objektiva të qarta: të çrrënjosim krimin, të çrrënjosim korrupsionin, të çlirojmë ekonominë nga krimi dhe oligarkia, që pamundësojnë mirëqenien, që pamundësojnë vendet e punës, që pamundësojnë zhvillimin ekonomik.

T’u shërbejmë, pra, qytetarëve shqiptarë, duke rikthyer jo vetëm shpresën, por edhe mundësitë në vendin e tyre, në qytetet e tyre, në fshatrat e tyre, në shtëpitë e tyre. Dhe kjo mund të ndodhë vetëm duke rikthyer themelin e bashkëjetesës demokratike, që është vota e lirë dhe e ndershme.

Vendimi është i qartë.Partia Demokratike do të futet në zgjedhje, vetëm kur të garantohen kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme. Jo vetëm kaq, por Partia Demokratike angazhohet të pamundësojë çdo krim tjetër elektoral mbi shqiptarët, si zgjedhjet e vitit 2017, tashmë të dokumentuara edhe nga prokuroria shqiptare, si të dhunuara nga bashkëpunimi kriminal i Edi Ramës me kupolën mafioze, të pamundësojë, pra, një tjetër skenar kriminal zgjedhor, duke bërë, kështu, të mundur që, jo vetëm të rikthejmë legjitimitetin e parlamentit dhe të qeverisë, por, duke pamundësuar pastaj edhe krimet e tjera që pasojnë krimin elektoral.

Futja e policisë në orët e para të mëngjesit me gaz lotsjellës në shtëpitë e banorëve te Bregu i Lumit, duke helmuar me gaz fëmijë 3-vjeçarë, 5-vjeçarë, gjë që mund t’i ndodhte çdokujt prej jush, mund t’i ndodhë çdo bashkëqytetari nesër, nëse kjo e keqe nuk ndalet.

Shembja e shtëpive në kundërshtim me ligjin dhe kushtetutën, vjedhja e pronës, largimi masiv nga puna në kundërshtim me ligjin, mbyllja e bizneseve, çuarja e fermerëve në kufijtë e ekzistencës dhe të dëshpërimit sa të derdhin qumështin në rrugë e të hedhin prodhimet në kanal, shpërfillje totale e shpresës së kombit, studentëve shqiptarë, ccuarja e pensionistëve në kufijtë e mbijetesës me pensione që nuk paguajnë dot as energjinë elektrike dhe ilaçet, janë pasoja të drejtëpërdrejta të shkatërrimit të mekanizmit demokratik: besim-llogaridhënie, që vjen përmes votës së lirë.

Ndaj beteja për votën e lirë, është betejë për të zhbërë të gjitha këto pasoja negative për qytetarët shqiptarë, nga fëmijët e vegjël deri tek pensionistët.

Pra, me fjalë të tjera, beteja është betejë për çdo shqiptar, për të djathtë e për të majtë, për të gjithë ata që sot janë viktima të drejtëpërdrejta ose indirekte të një pushteti kriminal dhe ilegjitim, të dalë nga një process zgjedhor i manipuluar në bashkëpunim me krimin e organizuar.

Misioni ynë është i qartë: Të çlirojmë vendin nga krimi.  Të çlirojmë vendin nga korrupsioni Të çlirojmë ekonominë nga kriminelët dhe oligarkët, nga paraja e pisët që po vret vendet e punës, që po vret ekonominë dhe po shkakton dëshpërim masiv dhe emigracion masiv.

Duke bërë këtë, të krijojmë edhe njëherë kushtet që, çdokush,përmes lirisë, përmes barazisë para ligjit,të ketë mundësi dhe liri, këtu në Shqipëri, për të plotësuar objektivat personale, familjare dhe komunitare.

Pyetje: Zoti Basha, kush është formula për zgjedhje të lira, sipas jush, dhe si do ta pengoni procesin e votimit?

Lulzim Basha: Sot, çdo shqiptar e ka kuptuar se kjo qeveri ka rënë moralisht, politikisht dhe ndërkombëtarisht. Pavarësisht prej pelivanllëqeve,që janë e vetmja gjë me të cilën merret sot kryeministri më i paaftë, më i dështuar, më i korruptuar dhe më inkriminuar në historinë e Shqipërisë dhe të Ballkanit, çdokush e ka kuptuar që me Edi Ramën nuk vazhdohet më.

Prandaj, largimi i tij është kushti i parë dhe i panegocueshëm për nisjen e dialogut politik me Partinë Socialiste, dialog i cili duhet të çojë drejt një qeveria tranzitore me mandat për të përgatitur zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Në bashkëpunim jo vetëm me aletatët tanë politikë, por me të gjithë shoqërinë dhe gjithë përfaqësuesit e grupeve të interesit, gjatë ditëve dhe javëve në vijim, ne do të shpalosim propozimet tona për mandatin e qeverisë tranzitore dhe, natyrisht, propozimet tona do t’i nënshtrohen një diskutimi publik, në mënyrë që mandati dhe detyrat e qeverisë tranzitore të mosjenë thjesht dhe vetëm kalkulim politik i opozitës së bashkuar, por të përfaqësojnë konsensusin më të gjerë shoqëror, për ta nxjerrë Shqipërinë nga kjo krizë.

Pyetje: Zoti Basha, kryeministri thotë se nuk tërhiqet, ju thoni se do pamundësojmë zgjedhjet. Si do të pamundësohen zgjedhjet? Do të shkohet drejt përplasjes civile me 30 qershor?

Lulzim Basha:Do të kemi kohë të diskutojmë hap pas hapi të gjitha detajet me interes gazetaresk. Sot, mesazhi që dua të ndaj me ju është ky: Pa largimin e Edi Ramës, nuk ka dialog.

Pa largimin e Edi Ramës, do të vazhdojë përballja në të gjitha format dhe mënyrat, mes qytetarëve të dhunuar dhe një grushti dhunuesish, një organizate kriminale që ka zaptuar sot kupolën e shtetit, drejtësinë, parlamentin dhe një nga partitë kryesore në vend, Partinë Socialiste të Shqipërisë.

Pyetje: Kishte një vendim të kryesisë për të vazhduar protestat sa herë ka seanca parlamentare?

Basha: Protestat do të vazhdojnë sipas taktikës që do të përcaktohet nga shtabi i protestave.

Pyetje: Keni pasur sot në parlament një ftesë nga Edi Rama për një dialog, ju ka ftuar të merrni pjesë në komisionin e reformës zgjedhore?

Basha: Parakushti i parakushteve për një dialog të vërtetë dhe jo tallje me shqiptarët, që dhunohen ditë për ditë nga Edi Rama dhe horrat e tij, banditët me uniformë apo pa uniformë, është largimi i Edi Ramës, shkaktarit të kësaj krize të shumëfishtë, që t’i hapë rrugë dialogut politik, që do të çojë drejt një qeverie tranzitore dhe zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Exit mobile version