Basha: Ligj të ri për Referendumet, që të ndalim hajdutët që ndërtojnë pa votë fabrikat e vdekjes

Kryetari i PD, Basha në bashkëbisedimin me studentë universitarë u shpreh se, gjatë qeverisjes së PD do të miratohet një igj i ri për Referendumet, që të ndalim hajdutët që ndërtojnë pa votë fabrikat e vdekjes në Tiranë, Elbasan apo Fier.

Duhet të fuqizojmë rolin e qytetarëve. Ata duhet të kenë mundësinë të shprehen për çështje të rëndësishme. Por ligji i sotëm për referendumet e pamundëson këtë. Imagjinoni për një moment nëse do të kishim mundësi të zhvillonim një referendum për Teatrin Kombëtar.

Të gjithë ata që ngrehen si gjela me një gjuhë vulgare se do ta prishim, po bëhet një vit që atje proteston elita kulturore e Shqipërisë, për të mbrojtur jo shtëpinë e tyre, por shtëpinë e të gjithë artit shqiptar, me vlera të jashtëzakonshme. Po të kishim një referendum të Tiranës apo të të gjithë Shqipërisë, do t’u kishim treguar vendin.

Ligji për Teatrin do të binte dhe ata që e kishin hartuar atë, do detyroheshin të largoheshin nga pushteti. E njëjta gjë për inceneratorët. Pse nuk shprehen dot qytetarët e Elbasanit për fabrikën e vdekjes që u ka ngritur Arben Ahmetaj atje.

Apo të Fierit? Apo të Tiranës? Vjedhin lekët e shqiptarëve dhe ndërtojnë fabrikat që helmojnë shqiptarët, sepse nuk kemi mundësi t’i kundërshtojmë në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Ky është një tjetër zotim që dua ta bëj sot para jush dhe që hyn tek projekti ynë i Shqipërisë përfshirëse dhe jo Shqipërisë përjashtuese, që do ta mundësojmë përmes Ligjit të ri për Referendumet, që qytetarët të kenë mundësi të shprehen në mënyrë të drejtpërdrejtë me votë, për çështje të rëndësishme kombëtare dhe lokale.

Dhe kjo të jetë vendimmarrja më e lartë, shumë më e lartë se çdo vendimmarrje tjetër, qoftë kjo edhe e parlamentit apo e qeverisë.

auto Basha1554477335