Të përndjekurit “maskarenj” dhe oficerët e Sigurimit “engjëj”

Nga Kastriot DERVISHI

Deputeti i shumicës z.Braho, zgjodhi komisionin kuvendor për të bërë deklarata kundër drejtorit të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa. Në terminologjinë e sulmit, ai nuk i përmendi as emrin e institutit, por iu drejtua si “instituti i Agronit”.

Por ishte shumë i qartë në mbrojtje të trashëgimisë komuniste dhe oficerëve të Sigurimit të Shtetit. Për të mos e ndaluar deri këtu sulmin aspak të bazuar dhe faktuar, një ditë më vonë në një të përditshme, ai deklaroi:
“Ish-sigurimi i Shtetit i zgjidhte bashkëpunëtorët nga kategoria e Agron Tufës. Ata i kanë shërbyer devotshmërisht Sigurimit të Shtetit me denoncimet që kanë bërë. Mirë kanë bërë, se edhe janë paguar për devotshmërinë e tyre. Kjo akuzë që më bëri dje Tufa, më bëri apo më nxiti kureshtjen se mos ka edhe ky ndonjë dosje bashkëpunimi.

Do të kthej përgjigje sapo të hulumtoj në disa sirtare që nuk i hap dot Tufa… Ia premtoj këtë dhe do të tregoj se nga i buron gjithë ai vrer këtij njeriu…” (se kur unë publikoj krime të komunizmit, kategoria persekutore qahet për “nxjerrje sekreti”, ndërsa kur Braho deklaron kështu, nuk ka më “çështje sekreti”).

Pra sipas Brahos, të përndjekurit kanë qenë të gjithë spiunë dhe e keqja e këtij vendi nuk janë ustallarët e makinerisë krimiminale hoxhiste, as oficerët e Sigurimit të Shtetit, të cilët pavarësisht se të paarsimuar (shkolla e sigurimit nuk vlen për asgjë), sot gjithkund të punësuar, por viktimat e tyre të rekrutuar me material shtrëngues (me torturë, kërcënime, vrasje, etj). Pra fajtorët nuk duhet t’i kërkojmë te oficerët në fjalë, madje kjo qenka e ndaluar, por te viktimat.

Pak a shumë kjo ka qenë edhe filozofia e ligjit për krijimin e Autoritetit për Informim te Dokumentet e Sigurimit të Shtetit (ku Braho ka marrë pjesë si drejtues i komisionit të sigurisë, pavarësisht se as kishte lidhje me sigurinë kjo punë), në tavolinat këshillimore pezake të të cilit janë parë të japin mend oficerët në fjalë. Pra ju o të përndjekur nxirrini sytë njëri-tjetrit se ju kënaqin edhe me ndonjë ekspozitë aty këtu, por mos i prishni mirëqenien gjeneralëve të Sigurimit. Ata le të vazhdojnë atje ku janë.

Sa për sqarim të shkurtër, rrjeti agjenturor i Sigurimit të Shtetit, përbëhej nga rezidentët, agjentët, informatorët dhe strehuesit. Ndërtohej sipas dy parimeve: me dëshirë dhe me shtrëngimin. Komunistët bëheshin vetëm me dëshirë. Kategoritë e përndjekura vetëm me “material shtrëngues”. Domethënë i përndjekuri është njësoj si ai pengu që është i lidhur me detyrohet të nënshkruajë diçka jashtë vullnetit të tij. Viktima është pak a shumë si në ato videot e ISIS-it.

Domethënë sapo një i njeri i mbajtur peng në burgjet e ISIS-it të zbriste në SHBA do duhej të shihej si bashkëpunëtor i ISIS-it?! Por po të analizosh kategorinë e përndjekurve, rreth 95% e këtij kontingjenti nuk kanë bërë asgjë, vetëm sa të janë shënuar në regjistrin e agjenturës, i cili shërben sot si “prova” e vetme e gjoja “sirtarëve” që gjasme nuk i hapka askush (😅). Rezidentët dhe strehuesit e rrjetit sekret ishin komunistë ose njerëz shumë të besuar.

Një shembull nga viti 1978. Nga 13.276 persona që përbënin rrjetin sekret, 1150 ishin komunistë (ndërsa numri i të besuarve gati komunistë është shumë më i madh). Vetëm Dega e Sigurimit të Ushtrisë kishte 2982 bashkëpunëtorë (në ushtri nuk kish të përndjekur).

Dega e 8-të e Drejtorisë së Parë që mbulonte kategorinë e “armikut të popullit”, pra ish ballistë e zogistë, kishte gjithsej 2425 persona bashkëpunëtorë (por edhe këtu 662 janë komunistë). Po janë po ashtu degët e tjera që mbulonin të huajt, ambasadat, etj, të gjithë me bashkëpunëtorë të besuar, jo të përndjekur.

Se bashkëpunëtorë të Sigurimit ishin komunistë që u bënë anëtarë të Byrosë Politike më vonë si Pali Miska apo Hekuran Isai, e lëre pastaj komunistë të tjerë që u bënë ministra e që figurojnë si “Dardha”, “Stilografi”, “Deti”, etj.