Dash Shehi: Ramës i ka hyrë frika në palcë, ne do të vazhdojmë rrugën tonë…

Dashamir Shehi, kreu i LZHK, i ftuar në emisionin e lajmeve të TvOra, tha se kryeministri Rama, i ka hyrë frika në palcë. Sipas Shehit, kjo është edhe arsyeja se pse ai thotë, se do të jetë kryeministër deri në 2021.

“Të gjithë që tremben këtë punë thonë. Nëse është kaq i sigurt nuk ka nevojë ta përsërisë kaq shpesh. Si duket i ka hyrë frika dhe e përsërit vazhdimisht, që mos i tremben ata që i vijnë dhe brohorasin.

Ne do të vazhdojmë rrugën tonë, me protestën e nesërme, me protestën e datës 13. Unë gjykoj që mirë është bërë.

Tani po vjen edhe koha e vapës, ora 18:00 është ditë akoma. Ka mjaftueshëm dy orë kohë. Njerëzit janë edhe më të lirë, janë çliruar edhe nga punët. Protestat tona kanë qenë paqësore, kështu që nuk ka nevojë për natën për gjullurdi të kota, që shpesh herë i janë vënë mbi kurriz opozitës”, është shprehur Shehi.