Basha tek Unaza e Re: Sandër Lleshaj dhe Edi Rama po kërkojnë të ushtrojnë terror mbi banorët

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha ka shkuar pranë banorëve të Unazës së Re, në një kohë që policia po planifikonte të ushtronte dhunë dhe të arrestonte banorët që kanë 5 muaj që protestojnë.
Basha u shpreh për mediat se, kishin marrë urdhër deri para pak minutash që të arrestonin banorët ndërkohë që të pandehur duheshin marrë Rama dhe Gjiknuri.
“Sandër Lleshaj dhe Edi Rama po kërkonin të ushtronin dhunë dhe terror mbi banorët. Këta kanë dalë nga bandat dhe u shërbejnë bandave. Kanë filtruar informacione se policia po tentonte të dhunonte dhe arrestonte banorët”, tha Basha.
Banorët menjëherë pas fjalës së Bashës kanë marrë garanci se, nuk do të cënoheshin dhe kanë filluar të largohen.
Protesta e banorëve të Unazës së Re sonte ka zgjatur më shumë se zakonisht pasi aty janë shfaqur forca të shumta të policisë si dhe të FNSH.
Banorët ju kanë bërë thirrje edhe ambasadorëve të huaj të akredituar që të dalin përkrah tyre pasi ndihen të kërcënuar.
Ata si çdo mbrëmje kanë bllokuar rrugën por gjatë protestës së sotme, ata janë rrethuar nga një numër i madh policësh të cilët nuk i kanë lejuar të bllokojnë të dy akset e Unazës.
Protestuesit duke iu drejtuar Ministrit Lleshaj, i kanë kërkuar këtij të fundit të ketë kujdes me durimin e tyre, pasi do të shikojë një protestë para policisë që se ka parë kurrë. Ata janë shprehur se janë rrethuar si të ishin në Gaza.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu ka postuar në rrjetet sociale përkrah të cilës shkruan se Policia përgatitet për dhunë kundër banorëve të Unazës së Re.