Mrika e Ramës merr të pandehur Ervin Salianjin, reagon ashpër PD

Partia Demokratike ka reaguar ditën e sotme pas daljes së lajmit se Prokuroria e Tiranës ka marrë nën hetim ish-deputetin Ervin Salianji.
Në një reagim zyrtar, selia blu thotë se prokuroria e kapur nga Rama mbron trafikantët dhe merr nën hetim denoncuesit.
Reagimi i plotë i PD
Prokuroria nuk zhgënjeu dhe sot, kur zyrtarizoi vendimin politik të Edi Ramës për marrjen të pandehur të Ervin Salianjit.
Asnjë surprizë nuk ka në këtë vendim, ku i akuzuar është denoncuesi dhe jo ai që bën krimin.
Denoncimi i Partisë Demokratike faktoi përfshirjen në trafik droge të vëllait të Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe mbështetjen që i siguronte ai nga funksioni publik. Falë këtij denoncimi:
Agron Xhafaj, vëllai i Ministrit të Brendshëm, nuk vazhdon të merret më trafik droge, por është në burg në Itali për trafik ndërkombëtar droge.
Fatmir Xhafaj u shkarkua si Ministër i Brendshëm, duke mos përdorur më pushtetin e tij politik për të favorizuar të vëllain në trafik droge.
Taulant Balla dhe Ardi Veliu u faktuan si manipulatorët e çështjes, duke fabrikuar prova e dëshmitarë, me qëllimin e vetëm mbrojtjen e Ministrit të Brendshëm dhe vëllait të tj trafikant droge.
Vendimi politik i Prokurorisë është paralajmëruar nga Edi Rama që ditën e parë të zbulimit të skandalit nga Partia Demokratike. Akti i sotëm dëshmoi, edhe njëherë se, për sa kohë Edi Rama të jetë në Qeveri, drejtësia i ka duart e lidhura dhe krimi i organizuar do të jetë i paprekshëm.
Edi Rama dhe prokuroria e tij politike nuk do t’ia mbyllin dot gojën opozitës!
Partia Demokratike është e vendosur të denoncojë çdo aferë që provon se Qeveria Rama është produkt dhe peng i krimit të organizuar?