Basha: Eshtë ora e qindramijëra shqiptarëve që protestojnë, regjimi do rrëzohet

Për disa minuta protestuesit kanë brohoritur emrin e Lulzim Bashës, kryetar i PD-së, thirrje që kanë ushtuar gjatë kohës që në podium ishte ngjitur kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.
“Tik-tak, tik-tak, kjo është ora e qindra mijëra shqiptarëve, kjo është ora e shpresës”, tha Basha, duke iu drejtuar mijëra protestuesve.
Basha theksoi se me besimin në të madhin Zot ne do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa.
“Edi Rama shkeli mbi dinjitetin e çdo shqiptari, të majtë e të djathtë, myslimanë dhe të krishterë”, theksoi Basha, duke shtuar se po përfundon ora e një njeriu që me ndihmën e krimit poshtëroi një popull të tërë, pasi vodhi paratë dhe pronat e shqiptarëve.
Basha theksoi se prej javësh ajo godinë nuk është më ajo e Kuvendit të Shqipërisë, por karantina e kolerës së krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Kreu demokrat theksoi se me joshjen e karrigeve të pushtetit, ata pak të mjerë që futen në atë godinë, ata janë turpi i familjeve të tyre, përdhosin emrin e tyre, që do t’i marrë historia.
Basha shprehu një falenderim për ata kandidatë patriotë që dogjën mandatet e tyre.
“Nuk ka Europë me një qeveri të bërë njësh me krimin, me korrupsion me nivelet më të larta, nuk happen negociatat me negociatat dhe kryehajdutin Edi Rama”, tha Basha.