Basha: Asnjë hap pas për largimin e Edi Ramës, u bëj thirrje qytetarëve nesër në 10:00 para Parlamentit

Pas takimit me presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, kreu i Partisë Demokratike, Basha ka përsëritur sërish apelin për pjesëmarrje masive në protestën e nesërme para Parlamentit.
Kryeopozitari u shpreh se, kjo nuk është një betejë për një parti, por beteja e të gjithë shqiptarëve.
“Ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve për pjesëmarrje masive nesër. Kjo është një betejë që na bashkon e nuk na ndan. Nuk është betejë për pushtet apo për një parti, por betejë me krimin për të larguar Edi Ramën”, tha Basha.
I pyetur për deklaratat e Presidentit Meta, që kërkoi hapa pas si nga opozita ashtu edhe nga maxhoranca, Basha u përgjigj prerë.
“Unë nuk kam ndërmend të komentoj deklaratat e Presidentit, por në përballje me qeverinë e kapur nga krimi për të vjedhur zgjedhjet nuk ka për të pasur hapa pas, por vetëm hapa para drejt largimit të Edi Ramës, duke nisur që nesër në orën 10:00”, tha Basha.
Basha foli edhe për takimin me presidentin slloven. “Rikujtova me kënaqësi ndihmën që na ka dhënë për anëtarësimin në NATO dhe heqjen e vizave. Procese që i kam ndjerë në detyrat e mia të atëhershme si ministër. E sigurova se PD është e përkushtuar për të arritur vlerat europiane për Shqipërinë dhe shqiptarët përmes vendosjes dhe rivendosjes së demokracisë, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, që të hapet rruga e bllokuar nga korrupsioni që shqiptarët të udhëtojnë drejt Europës me kokën lart”, vijoi Basha.

proetsta 11