Presidenti dekoron Fondacionit “Konrad Adenauer”

Drejtorin e Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi drejtorin e Fondacionit “Konrad Adenauer” në Shqipëri, zoti Walter Glos me dekoratën “Për Merita të Veçanta Civile”.
Presidenti Meta i dorëzoi dekoratën zotit Glos, në përfundim të mandatit të tij, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të çmuar për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Shqipërisë dhe partnerit të saj strategjik Gjermanisë, si dhe për promovimin e vlerave dhe standardeve europiane në vendin tonë”.
Duke iu drejtuar të pranishmëve,Presidenti i Republikës theksoi:
“Prania e Fondacionit Konrad Adenauer në Shqipëri është padyshim një aset i çmuar dhe shprehje konkrete e mbështetjes së gjerë që Gjermania, një vend mik dhe partner strategjik, i jep vendit tonë në të gjitha platformat e bashkëpunimit.
Pozicionimi i këtij Fondacioni si promotor i fuqishëm i bashkësisë së vlerave Trans-Atlantike, i Europës së Bashkuar, në mbrojtje të lirisë dhe dinjitetit njerëzor, përbëjnë garanci të forta se marrëdhëniet tona janë vendosur në shtratin e duhur.
Veçanërisht në stadin ku ne ndodhemi, në pritje të çeljes së negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian si rezultat i reformave thelbësore që i nevojiten vendit, bashkëpunimi me Fondacionin dhe zotin Glos kanë kontribuar për të patur një qasje më realiste, të domosdoshme për të arritur këtë objektiv që mbështetet nga e gjithë shoqëria shqiptare.
Në mënyrë të veçantë dua të vlerësoj punën e Fondacionit dhe zotit Glos për forcimin e demokracisë sipas standardeve më të mira europiane dhe punën e tij të palodhur me të rinjtë shqiptarë, të cilët meritojnë më shumë vëmendje dhe përfshirje për të ndërtuar të ardhmen e tyre në Shqipëri.

Forcimi i themeleve të shtetit të së drejtës, duke kontribuar për një shoqëri më të drejtë dhe solidare, ka qenë një tjetër tipar i spikatur i objektit të punës së zotit Glos në Shqipëri.
Organizimi i Ditëve të Kujtesës, jo thjesht dhe vetëm si detyrim moral për të hedhur dritë mbi të vërtetat e dhimbshme historike, por edhe si përgjegjësi kombëtare për të nxjerrë mësimet e duhura duke mos rënë në grackën e gabimeve ciklike, janë një vlerë e shtuar që Fondacioni ka sjellë në Shqipëri.
Jam i sigurtë se Fondacioni do të vijojë më tej punën mbi këtë trashëgimi, frymëzuar nga Kancelari i madh gjerman Konrad Adenauer, i cili udhëhoqi vendin e tij nga rrënojat e Luftës së Dytë Botërore drejt demokracisë, stabilitetit, begatisë dhe partneritetit shembullor perëndimor. Ish-Kancelari gjerman Adenauer thonte se ‘ne të gjithë jetojmë nën të njëjtin qiell, por nuk shikojmë të njëjtin horizonte’.”, – theksoi Presidenti Meta.
Glos, pasi falënderoi Presidentin e Republikës, vuri në dukje se e mirëpriti me kënaqësi këtë vlerësim, që sipas tij vjen si fryt i përpjekjeve të përbashkëta dhe bashkëpunimit për forcimin e mëtejshëm të demokracisë së re në Shqipëri.
“Shqipëria është pjesë e Europës dhe populli shqiptar dëshiron të hyjë në Bashkimin Europian. Kjo ka shërbyer si nxitje edhe për punën e Fondacionit ‘Konrad Adenauer’ që të bëjë çka është e mundur në mënyrë që ta ndihmojë vendin tuaj për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian sa më shpejt që të jetë e mundur.” – theksoi zoti Glos, mes të tjerash.