Basha: Rama e Lleshaj hodhën gaz edhe mbi gratë shtatzëna. Do vijë dita të jepni llogari nga i pari tek i fundit

Policia ka hedhur disa herë gaz lotsjellës dhe lëndë helmuese në drejtim të kryetarit të PD, Lulzim Basha dhe kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi, të cilët ndodheshin në mes të protestuesve. Basha u ka bërë thirrje protestuesve të bashkohen.
“Edi Rama e Sandër Lleshaj që urdhëruan hedhjen e gazit lotsjellës edhe mbi gratë shtatzëna. Mbajeni mend, dita do të vijë për ju. Do të jepni llogari para ligjit nga i pari tek i fundit. Sovrani do ju çojë para drejtësisë dhe në burg aty ku e keni vendin horra dhe tradhtarë”, deklaroi Basha.
Protestuesit janë konfrontuar me efektivët e policisë dhe kanë tentuar të çajnë kordonin e tyre dhe të hyjnë brenda në Parlament. Me thirrjet “Rama ik”, protestuesit kanë nisur të shtyjnë efektivët e policisë ndërkohë që Basha ka marrë mikrofonin duke iu drejtuar këtyre të fundit që të mos guxojnë të prekin me duar qytetarët.
Deputetët e PD-se janë përpjekur të qetësojnë turmën duke u bërë thirrje të zmbrapsen.
Protestuesit arritën të depertojnë disa metra në brendësi të oborrit të Kuvendit, por janë tërhequr pas ndërhyrjes së policisë e cila ka hedhur gaz lotsjellës.
Menjëherë kanë ndërhyrë dhe forcat FNSH të cilët janë përballur dhe me protestuesit të cilët kanë hedhur në drejtim të tyre shashka, tymuese si dhe pllaka guri që janë hequr nga bordurat dhe trotuari përballë Kuvendit të Shqipërisë.

Situata vijon të jetë kaotike, ndërsa policia hedh gaz lotsjellës çka ka bërë që të shpërndahen dhe deputetët e opozitës si dhe eksponentët kryesorë të saj.
Kjo protestë u thirr me urgjencë nga partitë opozitare pas vendimit të kryesisë së Kuvendit për zhvillimin e seancës parlamentare 2 ditë më herët nga sa ishte parashikuar.
Gjithashtu kryeministri Rama sot nuk është i pranishëm në seancë parlamentare, pasi po zhvillonte një takim me qytetarët në Bashkinë e Lushnjë në kuadër të turit “Bashkia që duam”. Mësohet gjithashtu se ai është nisur drejt Tiranës, por nuk dihet nëso do të jetë në sallën e Kuvendit.

revolta 1

auto madurto1551198757 1