“Le Temps” për protestat: Qytetarët po ngrihen kundër regjimit autoritar e të korruptuar

Shqipëria, Serbia, Mali i Zi… Një valë protestash të mëdha që po përhapur në të gjitha vendet e Ballkanit.
Kudo, qytetarët denoncojnë regjimet autoritare, klienteliste dhe të korruptuara’.
Kështu e nis artikullin e saj gazeta zvicerane ‘Le Temps’, që bën një panoramë të situatës politike në Ballkan. Gazeta kritikon BE-në se në funksion të stabilitetit të Ballkanit është duke mbështetur qeveri jo demokratike.
Në Shqipëri ishin studentët të parët që nisën protestat kundër ligjit të Arsimit të Lartë të miratuar nga qeveria e Edi Ramës.
Ata kanë kërkuar heqjen e tarifave të arsimit të lartë. Studentët arritën një fitore të pjesshme, kur në 28 dhjetor Edi Rama shkarkoi gjysmën e kabinetit qeveritar.
Por tani Rama po përballet me protesta nga opozita, që organizoi dy tubime të mëdha, të nisura në datën 16 shkurt. Të enjten në 21 shkurt deputetët e PD-së të shoqëruar edhe nga mijëra e mijëra shqiptarë dorëzuan mandatet e tyre. Shqipëria tani është në krizë politike.
Edhe në Serbi, partitë opozitare janë në protestë prej më shumë se 2 muajsh. Ata kanë mbledhur mijëra qytetarë në rrugë dhe protestojnë kundër Aleksandër Vuçiç.
Ashtu si edhe në Shqipëri edhe opozita serbe kërkon ngritjen e një qeverie të përkoheshme dhe organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Opozita proteston kundër korrupsionit që ka përfshirë qeveritë e Serbisë që pas vitit 2000.

‘Milo, hajdut, dorëhiqu!’ Natën e të shtunës mijëra njerëz dolën në protesta nëpër rrugët e Podgoricës, kryeqytetit të Malit të Zi. Kjo dita e tretë e protestave të organizatave të shoqërisë civile të cilat bëjnë thirrje për mobilizim kundër ‘diktaturës’ së Presidentit Milo Gjukanoviç. Në mes të janarit, biznesmeni Dushko Knezeviç tha se kishte financuar për vite Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS), e cila është në pushtet që nga viti 1991.
Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale tregohet se si ish-kryebashkiaku i Podgoricës merr një zarf me 97 mijë euro. Tani protestuesit mbajnë në dorë zarfe ku shkruhet shuma prej 97 mijë eurosh. Edhe në Mal të Zi është e njëjta problematikë si në Shqipëri. ‘Askund nuk mund të punësohesh nëse nuk je anëtar i partisë së Milos’, tregon Milena, një mësuese nga qyteti i Budvës.
Të gjitha vendet e Rajonit të Ballkanit janë të përfshira nga një papunësi dhe valë të mëdha emigrimit, sidomos të të rinjve.
Shumë protestues në Tiranë, Beograd dhe Podgoricë kanë mbajtur në duar parulla: ‘Unë nuk dua të emigroj’.
Ndërsa nga Bashkimi Europian i cili është kapur në befasi nga kjo valë e madhe protestash, nuk vjen asnjë përgjigje apo zgjidhje, veç se politika e drejtuesve të këtij bashkimi prej vitesh ka ruajtur ‘stabilitetin’, duke mbajtur mbi vete edhe kostot e mbështetjes së regjimeve jo demokratike që tani po sfidohen haptasi në rrugë e sheshe nga vetë qytetarët e vendeve të Ballkanit.

Përgatiti: SYRI.net