Saki kritikon Alegrin: Juventusi dorështrënguar, në Europë fiton futbolli sulmues

“Humbja e Juventusit më befasoi. Kjo skuadër duket gjithmonë mjaft dorështrënguar, mendon shumë për t’u mbrojtur. Kështu, nuk mund të japësh më të mirën, sidomos në Ligën e Kampionëve. Dihet tashmë, në Europë fitohet me futboll sulmues…”
Kështu shprehet Arrigo Sacchi, i cili ka folur për “Un giorno da pecora” në “Radio Rai”. Ish-trajneri i Milanit ka analizuar humbjen e Juventusit ndaj Atletico Madrid në “Wanda Metropolitano”, duke kritikuar indirekt qasjen taktike të Massimiliano Allegrit. Kjo shkon në kahun e asaj polemike televizive, në vitet e fundit, për shkak të cilësisë estetike të futbollit të trajnerit livornez.
Ish-trajneri i njohur italian ka pasur vlerësime për Diego Simeone, në anën tjetër: “I admiroj njerëzit, që japin jetën e tyre në atë që bëjnë. Dhe Simeone është një prej këtyre. Futbolli i tij nuk është aq harmonik, por ka entuziasëm të madh dhe bujari (nuk kursehet). Lojtarët e Simeone luajnë si heronj”.
Gjithsesi, bardhezinjtë kanë për të luajtur edhe ndeshjen e kthimit me “rojiblanco”. Ata besojnë se mund ta përmbysin disavantazhin 2-0 dhe të kalojnë në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve. Traineri Allegri dhe lojtarët e deklarojnë veten gati për këtë sfidë. E vetmja gjë që mbetet është të flitet ndryshe në fushë, në stadiumin e Juventusit.