Çmimi i ujit të pijshëm do të rritet përsëri

Qytetarët duhet të përgatiten për një rritje tjetër të çmimit të ujit. Në raportin e Entit Rregullator të Ujit për vitin 2018 ky institucion shprehet se, “ka ende hapsirë për rritje të cmimit të ujit në vend, nisur nga niveli i përballueshmërisë.
Sipas Entit Rregullator në vitin 2018 tendenca e cmimeve të ujit ka qënë rritëse, për shkak të performancës së dobët të ujësjellësave”. Sipas tyre, qytetarët shqiptarë “kanë ende hapësirë në drejtim të aftësisë paguese për të përballuar rritjen e tarifave”.
Për vitin 2018 Enti Rregullator i Ujit thotë se ka miratuar rritjen e tarifave për 8 Bashki të cilat kanë paraqitur aplikimet e tyre ndërsa është duke shqyrtuar kërkesat e 11 bashkive.
Ndërkohë një tjetër problem me të cilin përballen përditë qytetarët, është faturimi aforfe. Në raportin e ERRU thuhet se “Ujësjellësit kanë abuzuar me faturimet aforfe në rastet kur familjarëve u ka munguar matësi duke zbatuar normativa të tjera dhe jo ato që janë caktuar nga Enti Rregullator i Ujit”.
“Ankesat e paraqitura në ERRU me objekt “faturimi aforfe” zënë numrin më të madh të ankesave edhe gjatë vitit 2018. Shqetësues mbetet fakti që shoqëritë Ujesjellës kanalizime nuk kanë respektuar normativat e miratuara në rastet e faturimit aforfe 4.5 m3 ne muaj per frymë për konsumatorët familjare, por kanë vijuar faturimin me normativa të miratuara me urdhër të brendshëm të organeve drejtuese të shoqërive Ujësjellës kanalizime në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi”.