Xhafaj del hapur kundër Ramës!

Ish-ministri i brendshëm, Fatmir Xhafaj ka dalë sot kundër vendimit të marrë nga ana e mazhorancës për ndryshimin e rregullores së Kuvendit, duke u pozicionuar në qëndrim njësoj si opozita.
Në fjalën e tij në Komisionin e Ligjeve ai ka kundërshtuar me fakte dhe argumente, se nuk duhet ndryshuar Rregullorja, pasi që nga viti 2005 është ndryshuar për tetë herë me radhë.
“Nuk është korrekte dhe normale ndryshimet e shpeshta të funksionimit të Kuvendit të Shqipërisë” theksoi ai, duke shtuar se Rregullorja e Kuvendi mbetet si një “kushtetutë” e funksionimit të parlamentit.
“Nga 2005 deri me sot rregullorja është ndryshuar 8 herë. Ky proces duhet të jete sa më i kujdesshëm. Ndryshimet e herëpashershme e kanë zbehur rolin e deputetit. Deputet janë shndërruar në kartona…Për fjalën dhe për përfaqësimin e zgjedhjes së tyre dhe në ndikimin që kanë në procesin ligjvënës.
Kjo është gjëja që duhet të na shqetësojë më shumë. Është momenti për të parë se si mund të rikthehen disa ndryshme që rezultuan të dëmshme dhe që e shndërruam legjislativin në një zgjatim të ekzekutivit”, tha më tej Xhafaj.
Duhet thënë se Xhafaj dhe Rama kanë pasur përplasje të ashpra mes tyre, veçanërisht pas superaksionit VOLVO 4, ku ranë në pranga dy ish-deputetë socialistë, dhe u përfol se kishte një fletë-arresti dhe për kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako.