Mesazhi i fortë i Bashës nga Kruja: Zgjedhje të reja me qeveri pa Ramën

Kryetari i PD, Basha ka dhënë një mesazh të fortë nga Kruja ku u takua me qytetarë të këtij qyteti mbi protestën e 16 Shkurtit. Basha deklaroi se vendi duhet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja me një qeveri pa Ramën. “Më 16 shkurt t’i japim vendit rrugëdaljen politike, nëpërmjet krijimit të një qeverie kalimtare që do të përgatisë zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe do të zhbllokojë rrugën e integrimit europian”, tha Basha.
Kryetari i PD deklaroi se nuk do të ketë asnjë marrëveshje me Ramën.
Punësimi dhe mirëqenia e shqiptarëve janë prioriteti numër 1 për PD dhe për Lulzim Bashën. Ne i kemi zgjidhjet për ju dhe jemi gati t’i vëmë këto zgjidhje në punë që prej ditës së parë. Dosjet e prokurorisë, të publikuara nga Zëri i Amerikës, vërtetojnë se Edi Rama, nuk është kryeministër i qytetarëve shqiptarë, por është kryeministër i votave të vjedhura, kryeministër i bandave, kryeministër i oligarkëve.
45% e familjeve shqiptare jetojnë me më pak se 5 mijë lek të vjetra në ditë. Në 5 vjet Edi Rama u ka marrë shqiptarëve 2 miliardë euro taksa më shumë, por i ka vjedhur pa i kthyer në shërbime për shqiptarët. Ky është epitafi i Rilindjes: grabit shumicën e shqiptarëve, që të pasurojë një grusht oligarkësh dhe kriminelësh. Shqiptarët po e pohojnë kudo me zë të lartë: kjo qeveri nuk i përfaqëson më.
Banda që qeveris sot në Krujë dhe Shqipëri ka detyruar largimin e 1/3-ës së popullsisë së Krujës. Alternativa europiane e PD është të rikthejë shpresën dhe besimin,duke hapur vende pune me kushte dhe paga dinjitoze.
Ne i kemi zgjidhjet. Miliardat që sot merr Rama me 4-5 oligarkë ne do t’içojmë për rritjen e pagave, pensioneve për uljen e çmimit të naftës me 300 lek/litër, me uljen e çmimit të energjisë dhe taksave për biznesin.
Ka ardhur dita të bashkohemi njësoj si 500 vjet më parë, kur një qytet i vogël i qëndroi fuqisë më të madhe të kohës. Kauza jonë është e drejtë dhe ne do të luftojmë së bashku për të.
Nuk ka më mjete për ta zgjidhur politikisht krizën. Është fare e qartë se koha e fjalëve ka mbaruar. Ka ardhur koha të merrni në dorë fatin tuaj!. Ejani, me 16 shkurt ta rrëzojmë regjimin e banditëve.
Më 16 shkurt t’i japim vendit rrugëdaljen politike, nëpërmjet krijimit të një qeverie kalimtare që do të përgatisë zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe do të zhbllokojë rrugën e integrimit europian.

FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, NËKRUJË
Mirëse ju gjej zonja dhe zotërinj, të rinj dhe të reja, qytetarë dhe qytetare të Krujës.
Ju falënderoj për këtë mikpritje të jashtëzakonshme në një orar ndoshta të papërshtatshëm, por ju, gjithmonë jeni treguar jashtëzakonisht mikrëpritës, nuk keni pyetur për orare. Edhe sot e shoh që keni mbushur këtë shesh këtu në qendër të qytetit historik.
Bashkëbisedova me disa qytetarë dhe pronarë dyqanesh këtu në Krujë. Gjendja, siç e dini, është shumë e vështirë, shumë e rëndë. Nuk pashë një turist apo një blerës, qoftë edhe shqiptar, të trokasë në dyqanet e tyre. Ka vende me klimë shumë më të keqe se Shqipëria, ku sezoni turistik nuk pushon 12 muaj në vit, ndërkohë që këto biznese artizanati, restorantet, kafeteria e qytetit të Krujës, por edhe vendeve të tjera bregdetare mezi presin 2 apo 3 mujor të verës. Por edhe sezoni i kaluar ka qenë i mjerueshëm.
Nuk mund ta them më mirë se sa e thanë ata: 6-7 vjet më parë gjysma e klientelës përbëhej nga klientë shqiptarë nga bashkëqytetarë nga Shqipëria, por edhe nga bashkëkombës që vijnë nga Kosova, nga Maqedonia, nga diaspora dhe gjysma tjetër ishin të huaj që vinin me kuriozitet për të vizituar Krujën dhe përbënin konsumatorët kryesore të shërbimeve dhe produkteve të Krujës.
Sot situata është krejt ndryshe, jo vetëm që nuk ka turistë, por 1/3 e popullsisë së Krujës është larguar; shumica prej tyre të rinj, shumica prej tyre profesionistë. Kjo është rezultat i një klime tjetër, që nuk ka të bëjë me Zotin, nuk ka të bëjë me motin, ka të bëjë me qeverinë ose më mirë të themi me bandën që sot qeveris.
Zonja dhe zotërinj, vëllezër dhe motra një pyetje të thjeshtë gjithsecili mund t’ia drejtojë vetes: Për çfarë na duhet shteti? Për çfarë na duhet qeveria? Për çfarë na duhen ligjet?
Qëllimi i institucioneve, i ekzistencës së tyre, qëllimi i ekzistencës së qeverisë është të kujdeset për njerëzit, të kujdeset për sigurinë tuaj, të kujdeset për sigurinë e fëmijëve tuaj, të kujdeset për shkollat, të kujdeset për rrogat, që të keni të ardhura të mjaftueshme, të kujdeset për punësimin, për mirëqenien dhe, aty ku nuk ka punësim, të kujdeset për ata të papunë që të mos u mungojë, të paktën, buka, uji dhe dritat.

Por a po ndodh kështu me këtë njeri që ka uzurpuar karrigen e kryeministrit dhe bandën e tij?
Faktet tregojnë të kundërtën, që kur ka hipur në atë karrige iu ka marrë ju dhe gjithë shqiptarëve 2 miliard euro taksa më shumë se më përpara. Ky që do të ulte taksat për 97% të shqiptarëve iu ka marrë 2 miliardë taksa më shumë.Si i ka marrë? Duke rrit taksat, duke rrit çmimin e naftës, duke rrit çmimin e energjisë.
A i ka kthyer këto taksa mbrapsht? A i ka kthyer në investime? A i ka kthyer në shërbime? Absolutisht asnjë kokërr leku. Përkundrazi, ka bërë masakër mbi të pamundurit.
Kruja, hyn në qytetet me numrin më numrin më të madh të familjeve në nevojë ekonomike, dhe këtu në vend që të shtohej numri i familjeve me ndihmë ekonomike, të shtohej ndihma ekonomike për të përballuar bukën e gojës, çfarë ka bërë? Ka hequr qindra familje nga ndihma ekonomike, 23 mijë, statistikisht, në të gjithë Shqipërinë. N ë fakt, ka hequr dyfishin. Me çfarë do të jetojnë këta njerëz?
Ja,jua thotë Bashkimi Europian se me çfarë jetojnë! 45 përqind e familjeve shqiptare, jetojnë me më pak se 5 mijë lek të vjetra në ditë. Ku jemi këtu? Në mes të Afrikës?! Në xhungël?!
Jemi në një nga vendet më pjellore të Europës, me mundësi të jashtëzakonëshme. Por, këto 2 miliard euro të taksava tuaja, ju e dini fare mirë pse nuk kanë ardhur tek ju për pensione, për rroga, për spitale, për shkolla. Sepse, këto para i ka vjedhur Edi Rama me bandën e tij të hajdutëve në qeveri dhe me oligarkët.
Ju, besoj e ndoqët ditën e premte, prezantimin që bëmë të alternativës ekonomike të Partisë Demokratike. Në krahun tonë, ishin ekspertët më të mirë europianë, këshilltarët ekonomikë të vendit më të suksesshëm ekonomik në Europë, Gjermanisë, këshilltarët ekonomikë të CDU, partisë sonë simotër, partisë së Kancelares Merkel.
Punësimi dhe mirëqenies e shqiptarëve, janë prioriteti numër 1, për Partinë Demokratike dhe për Lulzim Bashën.
Ne i kemi zgjidhjet për ju, dhe jemi gati që me votën dhe besimin tuaj t’i vëmë këto zgjidhje në punë. Të funksionojnë e të prodhojnë të mira për ju prej ditës së parë!
Ditën tonë të parë, nafta dhe benzina, do të jenë 300 lek më të lira për çdo shqiptar, sepse, ne do ta heqim taksën Rama, mbi naftën.

Ne i kemi zgjidhjet për ju. Ato miliarda që sot i marrin 4-5 oligarkë, dhe i ndajmë me Edi Ramën,
Do t’i çojmë për rritjen e pensioneve.
Do t’i çojmë për rritjen e rrogave.
Do t’i çojmë për të financuar energjinë, në mënyrë që shqiptarët mos ta paguajnë faturën, më shtrenjtë se çdokush tjetër në Ballkan dhe familjet në ndihmë ekonomike të marrin 200 kiloëatët e parë falas.
Ne do të mundësojmë, përmes uljes së taksave, që biznesi, mos të mbyllet me 50 biznese në ditë, siç është sot, shkalla e mbylljes së bizneseve, por të hapet e të sigurojë punësim. Të kemi pra, një valë pozitiviteti, rritje ekonomike.
I kemi planet. Planet, jo premtimet! Me ekspertët më të mirë, dy prej të cilëve i kam sot me vete këtu, Florion Mimën dhe Çlirimin Gjatën.Ne kemi vizionin. Ne kemi planin dhe vendosmërinë, që të fillojmë t’ju shërbejmë, që prej ditës së parë, kur të na e besoni me votë, qeverisjen e vendit.
Por, zonja e zotërinj, ju e dini fare mirë, përse jemi mbledhur sot këtu: institucionet janë kapur nga krimi dhe korrupsioni. Prej pesë vitesh e kemi thënë, këtu në këtë shesh. E kemi thënë para bashkisë, që është një monument i kriminalizimit. E kemi thënë kudo, por tani nuk është Partia Demokratike e vetmja që po e thotë. Janë dokumentet zyrtare të hetimeve të prokurorisë shqiptare, që vërtetojnë se Edi Rama, nuk është kryeministër i qytetarëve shqiptarë, por është kryeministër i votave të vjedhura, kryeministër i bandave. Është kryeministër i oligarkëve.
Është Zëri i Amerikës, që ka publikuar këto të dhëna dhe ka kthyer edhe njëherë fjalorin e Enver Hoxhës, në gojën e Edi Ramës, që i thotë Zëri të Amerikës, kazan. E vërteta është se, sot, vendi nuk ka një qeveri dhe një parlament të qytetarëve, por institucione të kapura, nga krimi dhe oligarkët me një synim: që t’ju marrë taksat ju. Të gjitha ligjet bëhen për të zhytur thellë e më thellë, dorën në xhepin e shumicës së shqiptarëve, dhe për të pasuruar një pakicë.

Ky është epitafi i Rilindjes. Grabit shumicën e shqiptarëve, që të pasurojë një grusht oligarkësh dhe kriminelësh.Nuk ju përfaqësojnë më.
A ndiheni të përfaqësuar nga kjo maxhorancë dhe ky parlament?
Qytetarët: Joooo
A ndjeheni të përfaqësuar nga kjo qeveri? A ndjeheni të mbrojtur nga kjo qeveri?
Qytetarët: Jooo
Kjo është përgjigja juaj, kjo është përgjigja e çdo shqiptari të ndershëm, demokrat apo socialist. Por ajo që ky ka bërë, me dinakëri, me tinzari, me urrejtjen që ka në shpirt ndaj njerëzve, verbuar nga pasuria marramendëse që ka vënë bashkë me oligarkët dhe kriminelët është përpjekja për të vrarë shpresën, për të thënë: ky vend nuk bëhet, se kështu janë punët në këtë vend, ky vend nuk bëhet, për t’i larguar shqiptarët edhe njëherë nga atdheu i tyre.
E pra, këtu nga Kruja, është vendi dhe Kuvendi, për t’ju dhënë një mesazh, jo vetëm për ju burrave dhe grave të Krujës, të rinjve dhe të rejave të Krujës, por gjithë Shqipërisë: 500 vjet më parë, një popull i vogël i qëndroi fuqisë më të madhe ushtarake, politike dhe ekonomike të botës, këtu në Krujë.
Pse i qëndroi?
Se ishin të bashkuar. Se luftonin për kauzën e drejtë dhe kjo u jepte kurajon për të luftuar. Sot, ka ardhur dita ta rimarrim prapë këtë shembull, e t’i shtrijmë dorën njëri-tjetrit, të shohim njëri-tjetrin në sy e të themi: ne e kemi kauzën e drejtë, ne do të luftojmë sëbashku për kauzën e drejtë. Ne do ta shporrim të keqen dhe do ta rikthejmë Shqipërinë, në binarët e zhvillimit normal europian.
Alternativa e PD, është një alternative europiane, njësoj si në ato vende, ku shkojnë rinia e Krujës, për të kërkuar fatin. Dhe shumicën e rasteve e gjejnë me punë të ndershme. Këtu në vendin tonë, ne mund të krijojmë kushtet për punësim dhe mirëqenie, që këto miliarda euro, të krijojnë mijëra vende pune me kushte dinjitoze, me paga dinjitoze, me rritje konsumi.

Të rikthejmë shpresën dhe besimin, tek shtëpitë tona, tek familjet tona, tek ekonomia jonë, te qyteti ynë, te komuniteti ynë.Por, që ta bëjmë këtë, na duhet ndihma juaj.
Alternativat politike, shpalosen përmes institucioneve politike dhe proceseve politike. Por, institucionet i ka kapur krimi. Edhe prokurorinë e ka kapur krimi. Në vend që të hetojnë dhe të arrestojnë, Vangjush Dakon me shokë, Damian Gjiknurin me shokë, dhe gjithë politikanët e tjerë socialistë që janë kapur në flagrancë duke vjedhur vota, kërcënojnë me ndjekje penale, gazetarët që e shpalosën këtë tek Zëri i Amerikës.
Pra, nuk ka më mjete për ta zgjidhur këtë krizë, politikisht. Prandaj jua them, fare qartë; koha e fjalëve ka mbaruar. Ka ardhur koha të merrni në dorë fatin tuaj. Kjo është thirrja, kjo është ftesa.
Asnjë qeveri dhe asnjë parlament, nuk është sovran i këtij vendi, ato ekzistojnë thjesht dhe vetëm si rezultat i vullnetit tuaj. Tani, nuk po e thotë vetëm opozita, po e thotë bota, që Edi Rama, qeveria e tij dhe maxhoranca e tij, nuk janë produkt i vullnetit tuaj, por janë produkt i vullnetit të kriminelëve.
Ejani, me 16 shkurt ta rrëzojmë këtë regjim banditësh dhe t’i japim vendit rrugëdaljen politike.

Zgjidhja politike e opozitës, është kjo: qeveria kalimtare, që të përgatisë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe të zhbllokojë integrimin europian të Shqipërisë e të zhbllokojë mundësitë, për liri dhe punësim, për mirëqënie, për çdo shqiptar.
Kjo është ftesa që ju drejtoj sot, në emër të Partisë Demokratike, çdo qytetari e qytetarje krutane, të gjithë atyre që ndjehen të braktisur e të zhgënjyer, dëshpëruar: ngrihuni në këmbë, jepini dorën njëri-tjetrit dhe marshoni të gjithë sëbashku në Tiranë, me shpirtin e bashkimit dhe kurajon historike të krutanëve.
Ejani!
Demokratë e demokrate, qytetarë të paangazhuar politikisht, socialistë të braktisur e të dhunuar nga kriminelët që u kanë vënë mbi kokë, këtu në Krujë, e në të gjithë Shqipërinë.
Ejani, merreni në dorë fatin tuaj. Ta çlirojmë qeverisjen nga pengmarrja kriminale dhe t’i hapim rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme.T’i japim rrugë, Shqipërisë europiane. T’i japim rrugë Shqipërisë së mundësive për ju.
Ju garantoj, se prej ditës së parë, që këtë vend do ta çlirojmë nga pengmarrja e Edi Ramës dhe bandave të tij.Një ditë e re do të agojë për këtë vend, dhe gjithësecilin prej jush, dhe ju do të mund të prekni e të shijoni frytet e një qeverie që ju shërben ju, që punon për ju dhe jep rezultate për ju, fëmijët tuaj dhe familjet tuaja.
Nuk ka rrugë tjetër, përveç bashkimit. Nuk ka rrugë tjetër, përveç përballjes. Nuk ka rrugë tjetër, përveç popullit.
Populli i bashkuar, me 16 shkurt në Tiranë, do ta hapë, do ta zhbllokojë rrugën që ka bllokuar krimi me Edi Ramën dhe do ti japë, prespektiven e merituar vendit, sigurinë, mirëqenien, mundësitë dhe liritë, çdo familje e shqiptari të ndershëm, që nuk kërkon lëmoshë, por kërkon të jetojë me djersën e ballit dhe me dinjitet.
Për këtë të bashkohemi me 16 shkurt. Për këtë është ftesa për gjithësecilin prej jush.
Ju mirëpres të gjithëve me 16 shkurt në Tiranë.
Zoti e bekoftë Krujën!
Zoti i bekoftë familjet tuaja!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!