Basha: Në Fushë-Krujë dëgjoj vetëm për tritol, sa më shpejt të rrëzojmë këtë qeveri kriminale!

Pas Krujës, kreu i PD, Lulzim Basha ka vazhduar ditën e sotme takimet me banorë të Fushë Krujës. Teksa i drejtohet një zonje, duke i premtuar se gjendja do të ndryshojë me ardhjen e PD në pushtet, Basha theksoi se krutanët dhe të gjithë shqiptarët duhet të kenë shpresë. Ecja e kryetarit të PD, u shoqërua me thirrjet e qindra banorëve ‘Poshtë qeveria’.
‘Qeveria po kruan astarin e xhepit të shqiptarëve dhe nuk investon për ju’, u shpreh për qytetarët kreu i PD-së.
“Brenda pak çasteve sheshet po mbushen me njerëz të vendosur e të bashkuar dhe plot besim se po vjen një ditë e re. Në Fushë Krujë dëgjoj vetëm për tritol. Kush ka mbetur pa punë, histori që ma mbushin zemrën me trishtim.
Kam ardhur sot t’ju them që mezi po pres që me ndihmën tuaj, me bashkimin tuaj dhe të gjithë shqiptarëve dhe me ndihmën e Zotit, që herën tjetër kur të vij në Fushë Krujë të flasim për bizneset që janë hapur, për të rinjtë që gjejnë vende pune, për uljen e çmimit të naftës.
Për jetën që lehtësohet e jo vështirësohet.
Të flasim për familje që marrin ndihmë ekonomike, për shkolla, për shëndetësi.
Kjo ditë do të vijë shumë më shpejt për të larguar këtë kryeministër hajdut.
Gjysma e maturantëve të Fushë Krujës nuk do të kenë mundësinë të shkojnë në Universitet për shkak të tarifave të larta dhe pamundësive ekonomike të familjeve tuaja.
Por kjo do të ndryshojë!”, u shpreh Basha.

Fjala e plotë e Bashës
Mirë se ju gjej vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj, qytetarë dhe qytetarë të Fushë Krujës, faleminderit për këtë pritje të jashtëzakonshme, sot, këtu në qytetin tuaj!
Këto ditë kam nisur një tur për takuar qytetarë, për të takuar fermerë, familjarë, të rinj, përfaqësues të sipërmarrjes, të biznesit të vogël apo punëtorë në dyqane, por po e shikoni që po bëhet e pamundur që të jetë një tur bashkëbisedimi, sepse, brenda pak çasteve, sheshet e qyteteve mbushen me njerëz të qartë e të vendosur, të bashkuar dhe plot besim se po vjen një ditë e re.
Këtu në Fushë Krujë jam lodhur duke ardhur e duke dëgjuar kujt i plasi tritoli sot, kujt i plasi tritoli dje, kush mbylli dyqanin, kush ka ngelur pa punë; histori të trishta që ma mbushin zemrën me trishtim. Dhe vetëm mund ta imagjinoj si ndihen ata komshinjtë e këtyre që u plas tritoli apo familjarë, ata që ngelën të papunë, ata që ngelen të braktisur, ata që ngelën të harruar.
Kam ardhur sot që t’ju them që mezi po pres që me ndihmën tuaj, me bashkimin tuaj, me bashkimin e të gjithë shqiptarëve dhe me ndihmën e Zotit herën tjetër, kur të vij në Fushë Krujë, të flasim për bizneset që janë hapur, për të rinjtë që gjejnë vende pune, për uljen e çmimit të naftës, për jetën që bëhet pak më e lehtë dhe jo pak më e vështirë, për mundësitë, për punësim dhe për mirëqënie, për familje që jo vetëm e meritojnë ndihmën ekonomike, por edhe e marrin ndihmën ekonomike, për shkolla që nuk mbyllen por që investohen, për klinika dhe spitale, të cilat i ofrojnë të njëjtën shërbim që iu ofrohet qytetarëve të Maqedonisë. Dhe të jeni të bindur se kjo ditë po vjen dhe po afron, se kjo ditë do të vijë shumë më shpejt, sa më shpejt të rrëzojmë këtë qeveri kriminale dhe këtë kryeministër hajdut. Nuk ka asnjë arsye tjetër për pasigurinë që ka pllakosur Fushë Krujën këto vite. Nuk ka asnjë arsye tjetër për vështirësitë ekonomike në të cilat ndodheni, për papunësinë dhe mungesën e mirëqenies, përveç keqqeverisjes.
Taksat e shtuara që ju paguani, çmimi i naftës në stratosferë, çmimi i energjisë elektrike, miliarda euro që ju mbledh qeveria duke ku kruajtur edhe astarin e xhepit, nuk kthehen në investime për Fushë Krujën, nuk kthehen në shërbime, nuk kthehen në spitale dhe shërbim të mirë shëndetësor, nuk kthehen në shkollim. Gjysma e maturantëve të Fushë Krujës nuk do të kenë mundësinë që të shkojnë në universitet, për shkak të tarifave të rritura dhe të pamundësive të familjeve të reja. Kjo duhet të ndryshojë, kjo mund të ndryshojë. Zonja dhe zotërinj, vëllezër e motra kjo do të ndryshojë!

Partia Demokratike dhe unë kemi një plan i cili do t’ju vërë ekonominë shqiptare në funksion të qytetarëve shqiptarë, do t’i japë fund trajtimit të vendit si një lopë për t’u mjelur nga kryeministri, 4 oligarkët, dhe 5 banditë.
Ne kemi një plan ekonomik të cilin e kemi hartuar jo vetëm me ekspertët më të mirë shqiptarë, por, siç e patë, para disa ditësh, edhe me ndihmën e ekonomistëve më të shquar të Gjermanisë, atyre që këshillojnë ekonominë më të fuqishme, ekonominë gjermane, ekonominë e Evropës. Tonat, nuk janë premtime, janë plane, plane të hartuara me përgjegjësi të madhe ndaj të nesërmes së gjithësecilit prej jush dhe familjeve tuaja.
Ulja e taksave, ulja ditën e parë e çmimit të naftës dhe të benzinës me 300 lekë, duke ia hequr taksën Rama mbi karburantin, ulja e çmimit të energjisë janë vetëm 3 nga shtyllat që do të çlirojnë miliona euro në ekonomi, do t’ia heqin lakun nga fyti biznesit, do të rrisin konsumin, do të kthejnë në lëvizje ingranazhet e ekonomisë shqiptare, do të çlirojnë energjinë positive, që sot e ka marrë peng krimi dhe hajdutëria qeveritare.
Ne, së bashku do të bëjmë të mundur, që paratë që shkojnë me miliona nëpër kontot bankare sekrete të Arben Ahmetajt, Edi Ramës me shokë, me ato koncesionet e inceneratorëve vidhen 21 milionë euro vetëm këtë vit, po i latë ju, po i lamë ne. Ato para mjaftojnë për të rritur pensionet, mjaftojnë për një politikë tjetër, ku çdo familje që ka nevojë për ndihmë ekonomike ta marrë ndihmën ekonomike, dhe jo lëmoshë, por mjaftueshëm ndihmë ekonomike, që në Shqipëri të mos ketë, sepse s’duhet të ketë, asnjë familje pa bukë, pa ujë, pa drita, asnjë familje që të mbetet pa i çuar fëmijët në universitet për shkak të pamundësive ekonomike. Të gjitha këto janë të mundura. Të gjitha këto janë të mundura, nëse miliardat e taksave nuk i vjedh Edi Rama me një grusht banditësh.
Normalisht, kudo që kjo të ndodhte, do të kishte dy zgjidhje: ose populli do ta largonte me votë qeverinë, ose drejtësia do t’i fuste në burg Edi Ramën dhe ministrat e tij të korruptuar. (thirrje të pjesëmarrësve për burg) Patjetër që po. Por, të dy këto procese politike janë aktualisht të bllokuara.

Zgjedhjet janë të vjedhura. Nuk e thotë vetëm Partia Demokratike, nuk e thoni vetëm ju, që e dini fare mirë se si u bënë zgjedhjet këtu në Fushë-Krujë, tani e thotë Zëri i Amerikës, e thonë gazetat dhe mediat perëndimore që Edi Rama nuk është kryeministri i zgjedhur i shqiptarëve, por është kryeministri i banditëve dhe i hajdutëve.
Normalisht, këtë situatë duhet ta zgjidhte drejtësia, por prokuroria e kapur e Arta Markut dhe Donika Prelës me shokë, në vend që të arrestojë Vangjush Dakon me shokë, hap hetime për nxjerrjen e sekretit hetimor ndaj gazetarëve që e botuan tek Zëri i Amerikës. Këta kanë prekur fundin. Këta i kanë vjedhur shqiptarët, këta i kanë dhunuar shqiptarët, këta i kanë mashtruar shqiptarët, dhe tani me arrogancë dhe me propagandë mendojnë se mund t’ia hedhin, por ora e propagandës së tyre u thye e u bë copë e çikë nga studentët e bashkuar, nga rinia shqiptare.
Prandaj, të vëmë në lëvizje procesin politik, që të kemi zgjedhje të lira e të ndershme, ku ju të jeni në gjendje të votoni programin ekonomik që funksionon për ju, që siguron punësim, mirëqenie, mundësi dhe liri për ju, se këto duan banorët e Fushë-Krujës, këto duan krutanët, këto duan shqiptarët. Askush prej jush nuk kërkon lëmoshë. Ju doni liri, ju doni mundësi, për mirëqenie dhe punësim, ky është programi ynë, ky është objektivi numër 1 i Partisë Demokratike dhe i imi.
Por që t’i hapim rrugë këtij procesi, zonja dhe zotërinj, kemi nevojë për ndihmën tuaj. Politika është bllokuar nga vjedhja e zgjedhjeve, drejtësia është bllokuar nga kapja e prokurorisë dhe e gjyqtarëve, ka vetëm një forcë që mund ta zhbllokojë, ka vetëm një forcë që mund ta zhbllokojë dhe kjo që po ju them sot tani, është themeli i çdo shoqërie evropiane, ka vetëm një forcë që mund ta zhbllokojë dhe kjo forcë janë shqiptarët e bashkuar me 16 shkurt në Tiranë. Të bashkuar, të qartë dhe të vendosur, për të deklaruar fundin e qeverisë së banditëve.

Ne jemi gati t’ju shërbejmë. Unë jam gati t’ju shërbej, me planin tonë, me ekipin tonë, me ekspertë, me njerëz me integritet, njerëz që kanë dhënë kontributin e tyre dhe s’janë përfolur kurrë. Kam nderin që të kem këtu, pjesë të ekipit tim, Florion Mimën, Çlirim Gjatën dhe të tjerë anëtarë të ekipit të Partisë Demokratike, të cilët, së bashku me drejtuesit organizativë lokalë këtu, me Agronin, të cilin e kanë votbesuar, demokratët e Fushë Krujës, të marrim përgjegjësitë tona para shqiptarëve dhe t’i ushtrojmë ato me profesionalizëm dhe përulësi ndaj jush., jo me mendjemadhësi, as me arrogancë, as me hile. Këto meritoni dhe ju jap fjalën se këto do të keni. Qeveria e Partisë Demokratike do të jetë qeveria që do të bëjë gjithçka për punësimin, për mundësitë dhe për lirinë tuaj.
Por, para kësaj, na pret beteja. Shumë prej jush e kanë ndjerë në palcë, keqqeverisjen. Ju kanë marrë shpirtin. Ju kanë shkujaruar, ju kanë braktisur. Tani, shikoni njëri-tjetrin në sy, dhe shikoni në sytë e njëri-tjetrit, në sytë e rinisë së Fushë Krujës, në sytë e këtyre fëmijëve: ka shpresë, ka besim, se një ditë e re po vjen, dita, kur fatin tuaj, nuk do ta kenë në dorë banditët, dita kur fatin tuaj, nuk do ta kenë në dorë, oligarkët grabitqarë, dita kur fatin tuaj, nuk do ta kenë politikanë hajdutë dhe mashtrues, dita, kur fatin tuaj, do ta keni në duart tuaja.
Ndaj, ju ftoj, që këtij bashkimi spontan sot në Fushë Krujë, t’ia shtoni rradhët me miqtë tuaj, me kolegët tuaj, me vëllezërit dhe motrat tuaja, me bashkëshortët dhe bashkëshortet tuaja dhe, të gjithë së bashku, ta sillni këtë besim për ndryshim në Tiranë me 16 shkurt, ta derdhni në bulevardin kryesor të Tiranës, bashkë me qytetarët e tjerë, nga Shkodra në Vlorë, nga Korça në Durrës.
Le të jetë 16 shkurti, dita e historisë së artë e shqiptarëve, dita e parë e ndryshimit. Dita e parë e një demokracie të vërtetë europiane, ku çdokush ta marrë vesh, se në Shqipëri, që këtej e tutje, do të vendosin shqiptarët për fatin e tyre.
Faleminderit për këtë pritje të jashtëzakonshme. Ju mirëpres të gjithëve në Tiranë me 16 shkurt. Nuk kam shumë fjalë për t’ju thënë me 16 shkurt. Koha për fjalët ka mbaruar. Merrni fatin në duart tuaja më 16 shkurt në Tiranë!
Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
1

2 1