Akuza e fortë nga Prishtina: Baton Haxhiu ndërmjetësi i Beogradit tek Rama

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka shënjestruar dhe hedhur akuza ndaj gazetarit Baton Haxhiu por edhe ndaj ministrit Gent Cakaj, të cilit Rama i delegoi ministrinë e Jashtme. Sipas Kurtit, Batoni ka lidhje me eksponentë të caktuar të Shërbimit Shtetëror të Serbisë por nga ana tjetër ka edhe ndikim të madh në Tiranë. Ai e quajti Batonin si ndërmjetësuesin e Beogradit në Tiranë.
Adi Krasta: Pozicioni i Ramës në marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë?
Albin Kurti: Ndërmjet Thaçit dhe Vuçiçit ndërmjetësues është Baton Haxhiu, i cili dikur ishte ndërmjetësues mes Mahmut Bakallit dhe shefit të Shërbimit Informativ Shtetëror Ivica Stanishiç. Ky person ka një fuqi edhe mbi kryeministrin e Shqipërisë, e të them të drejtën nuk e di pse. Më është dukur enigmë, por kur një enigmë zgjatet shumë bëhet mister. Ky person kaq i urryer në Kosvë të ketë ndikim kaq të madh në Kosovë, që të vinte puna që nëpërmjet Kosovës të kishte ndikim Beogradi në Tiranë, këtë kurrë s’e kisha menduar.
Adi Krasta: Ti nuk e ke përmenduar vendosjen e zotit Cakaj në krye të diplomacisë shqiptare, nuk të kam dëgjuar të merresh me të, pse jo?
Albin Kurti: Ne e kemi shpjeguar me një komunikatë qëndrimin mbi një ish-anëtarin e partisë sonë. Ai nuk është ministër as i Kosovës, ai i Shqipërisë, as ministër i Edi Ramës. Ai është ministër i Baton Haxhiut. Problem nuk është Gent Cakaj, por Baton Haxhiu, për qeverisjen problem është Ivica Stanishiç pjesë e shërbimeve sekrete të Beogradit.