Skandali/ Veliaj i jap 8 milionë euro Klodian Zotos së inceneratorëve, Tirana e mbytyr nga plehrat

Rreth 8 milionë euro nga taksat e qytetarëve të Tiranës i janë paguar gjatë vitit 2018 kompanisë “Integrated Energy BV SPV”, e cila ka marrë me koncension përpunimin e mbeturinave të kryeqytetit, ndërkohë që kazanët e mbeturina në rrugë të ndryshme, përfshirë edhe në ato kryesoret, qëndrojnë të pambledhur për ditë me radhë.
Të dhënat e publikuara në portalin “Opendata.al” sugjerojnë se Bashkia e Tiranës ka kryer dy pagesave për llogari të kompanisë koncensionare, në një Prill dhe një në Maj 2018, me vlerë totale 1,061,872,202 të reja (7.9 milionë euro).
Në bazë të Marrëveshjes Koncensionare, të nënshkruar në Gusht 2017 ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, të drejtuar në atë kohë nga Lefter Koka dhe kompanisë me seli në Hollandë, Integrated Energy BV SPV”, pjesë e “Integrated Technology Services” të Klodian Zotos, Bashkia e Tiranës ngarkohet për të kryer pagesat për përpunimin e mbeturinave të kryeqytetit.
Sipas kontratës, Bashkia e Tiranës do t’i paguajë kompanisë koncensionare 29 euro për ton mbeturina që do të përpunohen në landfillin e Sharrës. Gjithnjë sipas marrëveshjes, Bashkia e kryeqytetit duhet të depozitojë minimalisht 200 mijë ton mbetje në vit në vend-depozitimet e koncensionarit.
Bashkia e Tiranës ngarkohet gjithashtu që të kryejë pagesat në llogari të kompanisë koncensionare brenda 10-ditëshit të parë të çdo muaji pasardhës. Por, siç rezulton nga pagesat e publikuara në “opendata.al”, Bashkia e kryeqytetit ka kryer vetëm dy pagesa, në prill dhe maj 2018. Asnjë pagesë nuk është kryer në muajt pasardhës, gjë që dikton se impianti i përpunimit të mbetjeve ende nuk është vënë në shfrytëzim dhe shifrat e arkëtuara në llogarinë e koncensionarit janë vetëm për ndërtimin e landfillit.

Kontrata koncensionare nuk parashikon afate strikte për përfundimin e punimeve të impiantit. Marrëveshja parashikon një seri detyrimesh për palët, përfshirë edhe kohën se kur duhet të nis ndërtimi i veprave të parashikuara. Por ajo përshkruan vetëm “datën efektive të fillimit të impiantit” si bazë për nisjen e përpunimit të mbeturinave, pa parashikuar afatin maksimal se kur nis realisht aktiviteti për të cilin është nënshkruar kontrata.
Koncesioni i inceneratorit të Tiranës është i treti dhe më i kushtueshmi i këtij lloji në Shqipëri, pas atyre të Elbasanit dhe Fierit. Ndryshimi i menjëhershëm i strategjisë kombëtare të menaxhimit të mbetjeve nga qeveria si dhe përfshirja e të njëjtit rrjet kompanish në të tria projektet ka ngritur dyshime për motivime klienteliste pas këtyre projekteve.
Qeveria është kritikuar për këtë lëvizje edhe nga ekspertët dhe aktivitet mjedisorë, të cilët mbrojnë idenë se kalimi i menaxhimit të mbetjeve me inceneratorë do të shumëfishojë kostot dhe do të shtojë rrezikun e ndotjeve në mjedis.
Para se t’i dorëzohej kompanisë koncesionare, landfilli i Sharrës shërbeu për vite me radhë si një burim mbijetese për dhjetra familje në nevojë, të cilat siguronin të ardhura përmes industrisë së riciklimit. Ndërsa në gusht 2016, vdekja tragjike e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj ekspozoi kushtet çnjerëzore dhe shfrytëzimin e njerëzve që mbijetonin në këtë industri.
/Boldnews.al