Reagon Allegri pas disfatës turpëruese të Juventusit

Trajneri i Juventusit e ka pranuar se ai e meritoi të ndëshkohej me karton të kuq nga gjyqtari, gjatë disfatës tronditëse të skuadrës së tij kundër Atalantas.
Massimiliano Allegri u detyrua ta shikonte një pjesë të ndeshjes së skuadrës së tij nga tribunat e stadiumit, kur ekipi i tij u eliminua nga Kupa e Italisë, pasi humbën me rezultat 3-0 kundër Atalantas, transmeton Gazeta Express.
Timothy Castagne e shënoi golin e parë, ndërsa Duvan Zapata e dyfishoi rezultatin gjatë minuta para se të përfundonte pjesa e parë e ndeshjes. Pas këtij foli, Allegri u ndëshkua me karton të kuq pasi që ishte zënë me gjyqtarin e katërt.
Zapata ia siguroi kualifikimin edhe më shumë skuadrës së tij, duke e shënuar edhe një gol tjetër në këtë ndeshje. Allegri e ka pranuar se paraqitja e skuadrës së tij ishte pritur për shkak të problemeve që kanë pasur gjatë kohës së fundit.
“Ata kishin të drejtë që më ndëshkuan, e humba kontrollin. Ky rezultat ka qenë i pritshëm tash e një kohë, të them të vërtetën. Kemi lojtarë që po kthehen nga lëndimet, lojtarë të tjerë që ende janë të lënduar. Mund t’i shpëtosh një apo dy ndeshje nga situata të vështira, por dikur do të humbasësh”, ka thënë Allegri.
“Nuk është asgjë dramatike, thjesht sot nuk ishte dita jonë. Atalanta e meritoi plotësisht të kualifikohet. Është zhgënjyese për ne që po eliminohemi, por ishte një çmenduri që arritëm t’i fitojmë të gjitha ndeshjet e këtij sezoni”.
“Nuk e shoh si ndonjë alarm për t’u shqetësuar sepse është e pamundur ta fitosh çdo ndeshje. Ne donim ta fitojmë Kupën e Italisë për të pestën herë radhazi, por Atalanta luajti në mënyrë fizike dhe agresive, kështu që urime për ta”.