Dako pranon se drekoi me organizatën kriminale: “Unë ha dreka me njerëz në nevojë”

Vangjush Dako ka pranuar pa teklif se ka drekuar me krerët e organizatës kriminale të Avdylëve që blinte vota për të, duke u justifikuar se ai “han dreka e darka me njerëz në nevojë”. Natyrisht në këtë rast në nevojë kanë qenë të dy palët sepse Dako donte votat, ndërsa organizata kriminale kontrollin e Durrësit.
I ftuari i mbrëmjes së të enjtes në emisionin ‘Open’ nga Eni Vasili ka qenë kryebashkiaku i Durrësit prej 3 mandatesh, Vangjush Dako.
Përballë një paneli gazetarësh, ai ka folur rreth versionit të tij mbi disa nga çështjet më të nxehta të aktualitetit politik në vend, të publikuara nga VOA dhe BIRN.
Përgjimet që janë publikuar në media, marrëdhëniet me Avdylajt e Shijakut, shitblerja e votave, por edhe fati i tij politik, gjithçka në emisionin ‘Open’ të Eni Vasilit, përballë panelit të gazetarëve Enton Abilekaj, Sandra Bogdani dhe Mentor Kikia.
‘Kemi folur për të njëjtën temë edhe para dy-tre muajsh.
Fakti i ri është që një person thotë se jemi duke drekuar me Dakon. Të gjitha historitë e tjera, janë ato për të cilat kemi folur njëherë. Ne kemi kontakte të vazhdueshme e të drejtpërdrejta me të gjithë qytetarët e Durrësit, nga dita e parë që zgjidhemi e deri në ditën e fundit.

Jemi në fushatë për t’i qëndruar pranë qytetarëve, duke i ndihmuar, përkrahur, etj.
Dreka e darka unë ha përditë me njerëz në nevojë, grupe interesi, ata që kanë nevojë të takohen me mua. Në rastin konkret kam qenë i ftuar nga vëllezërit pronarë të atij hoteli, së bashku edhe me disa të tjerë.
Fati im i keq, që të ftuar kanë qenë edhe këta emra që përmendni ju, në një ngjarje të vitit 2017. Unë s’kam qenë i përgjuar, të përgjuar kanë qenë ata. Unë s’mbaj përgjegjësi për çfarë thonë ata, dikush mund edhe të mashtrojë për të fituar besueshmëri. Unë nuk mbaj mend që të ketë qenë i ulur në tavolinë Altin Avdyli.
Në tavolinë kam qenë me shumë persona, sepse drekat e darkat i kemi pjesë të punës sonë të përditshme, për përurime, festa lokale, bamirësira, apo edhe aktivitete politike. Unë kam qenë i ftuar në atë drekë, ndërkohë që nuk mbaj unë përgjegjësi nëse kanë precedentë penalë të ftuarit e tjerë apo jo. Unë personalisht nuk kam favorizuar askënd, as Avdylajt, nëse nuk përmbushin kriteret për diçka.
Unë zhvilloj takime me të gjithë personat që i shoh si votues, pa parë as diplomën, as patentën dhe as nëse kanë apo jo precedentë penalë. Ka pasur auditime shpesh, por asnjëherë nuk kanë gjetur nëse unë kam favorizuar ndonjëherë këta persona’, u shpreh Vangjush Dako, i vënë para pyetjeve të vazhdueshme të panelit të gazetarëve.

I pyetur nga Eni Vasili nëse i intereson apo jo dhe a e ka problem të ulet në tavolinë me kriminelë, Dako tha se ‘nuk mban përgjegjësi për askënd nëse është i dënuar apo jo kur ulet në tavolinë me ta’.
Por, personat e përgjuar me precedentë penalë flasin shpesh për favorizime dhe jo thjesht për dreka e darka. ‘Nëse ju e quani favorizim vetëm për një bordurë’, u shpreh kryebashkiaku i Durrësit në vazhdim të mbrojtjes së tij përballë akuzave.
Gazetarja e BIRN-it, Sandra Bogdani e vuri me shpatulla pas murit Dakon, kur i tha se, nga e dinte ai që Avdylajt janë votues të atij, për sa kohë që vota është e fshehtë.
“Për mua ata janë votues të Partisë Socialiste, të paktën këtë radhë, pasi në zgjedhjet e ardhshme ndoshta mund të përkrahin të tjera palë. Ne kemi struktura dhe koordinatorë elektoralë, që merren me fushata dhe përpjekje për të siguruar mbështetje nga qytetarët”, tha Dako duke iu referuar vëllezërve Avdylaj, që në fakt rezultojnë të jenë një nga bandat që kontrollojnë Shijakun.
Duke risjellë në kujtesë zgjedhjet e vitit 2009, Dako tha se në disa zona të largëta të Bashkisë së Durrësit ka dërguar edhe vëllain apo kunatin e vet për të qenë si komisionerë, pasi banorët e zonave në fjalë ishin nën presionin e bandave mbështetëse të Sali Berishës dhe nuk lejoheshin të votonin.

1 3