Nga vrasja te “4 Rrugët e Shijakut”, te prostitucioni, droga e blerja e votave, historia e Avdylajve të rekrutuar nga Rama

Në vitin 1996 vritet me armë zjarri Dritan Avdyli, kushëriri i parë i Astrit Avdylit, kokës së bandës. Ai i kishte vendosur një gjobë biznesmenit Tefik Hyka, pronari i fabrikës së tullave në Vlorë.
Dritan Avdyli u telefonua nga një bashkëpunëtor shijakas i Tefik Hykës për të shkuar në zonën e “Katër Rrugëve të Shijakut” për të marrë paratë që i kishte kërkuar Tefikut, por në momentin që bashkë me shokun arrin në lokal, goditet me një breshëri plumbash nga një vrasës me pagesë i ardhur nga Tirana, Durim Kusi.
Astrit Avdyli, djali i xhaxhit të Dritanit, i dënuar më parë për prostitucion në Itali merr hak duke vrarë në qendër të Shijakut personin që nxori në pritë Dritanin. Ndërkohë që spiralja e hakmarrjes nuk u ndal me kaq, pasi vëllai i Astritit, Shkëlqimi vrau në Tiranë, Durim Kusin.
Ndërkohë që Jasmin Avdyli është dënuar më parë në Itali pasi u përfshi në vrasjen e një marshalli italian. Ai kishte disa vite që ishte liruar nga burgu dhe jetonte në Shijak.
Ndërsa Flamur Avdyli prej vitit 1996 ka emigruar në Gjermani ku dyshohet se është përfshirë në trafikun e heroinës së bashku me vëllezërit e tij duke sjellë goditjen mbrëmjen e djeshme.
Të arrestuar janë vëllezërit; Astrit Avdyli, që është koka e bandës, Flamur Avdyli dhe Shkëlqim Avdylin. Ndërsa përpos tyre u prangos kushëriri i parë, Jasim Avdyli së bashku me H. Hoxha, të dënuar në Turqi për trafik heroine dhe mbi 20 persona të tjerë.
Roli i këtij grupi mafioz në blerjen e votave
Përpara se të shfaqte interes për kryebashkiakun Dako dhe procesin zgjedhor në qarkun e Durrësit, Astrit Avdyli, 45 vjeçari nga Shijaku që akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si kreu i grupit të organizuar në trafikun e drogës, kishte probleme të tjera.

I dënuar me 16 vjet burg për një vrasje të ndodhur në vitin 1997, Avdyli ndërmori një betejë ligjore 10 vjeçare për lirim të parakohshëm nga burgu i Shënkollit-dhe në fund e fitoi.
Dokumentet gjyqësore tregojnë se Astrit Avdyli u lirua pas 13 vitesh burg, pasi siguroi më parë një raport mjekësor që e diagnostikonte atë me “depresion endogjen me tentativa vetëvrasëse”. Ai doli nga burgu më 2 mars 2016, pasi Gjykata e Lartë urdhëroi lirimin e tij me argumentin se “qëndrimi në burg i rrezikonte jetën”.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se vetëm pak kohë pas lirimit nga burgu, Avdyli u vendos nën hetim për përfshirje në trafikun e drogërave të forta.
Për dy vjet e gjysmë, Prokuroria e Krimeve të Rënda kreu me qindra orë përgjime dhe ndërroi tre grupe prokurorësh, derisa në tetor 2018 ngriti akuza për 44 persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, korrupsion, ushtrim ndikimi të paligjshëm apo falsifikime masive me pronat.
“Veprimtaria kriminale ishte me qendër dhe pikë grumbullimi në qytetin e Shijakut, me referentë kryesorë vëllezërit Avdyli…strumbullarë të furnizimit me drogëra të forta, kryesisht heroinë dhe kokainë në të gjithë territorin kombëtar,” thuhet në kërkesën e prokurorëve Dritan Prençi dhe Vladimir Mara.
Por ekskluziviteti i gjithëpranuar në trafikun e drogës nuk ishte i vetmi aktivitet i kryer nga Avdulajt.
Përgjimet e siguruara nga BIRN, të cilat janë pjesë e dosjes ende nën hetim 339/1, tregojnë se Altin Avdyli, i njohur si Niçja, ka pasur komunikime të vazhdueshme telefonike me kryebashkiakun Vangjush Dako nga janari 2017 deri në shkurt të vitit 2018. Përgjimet tregojnë gjithashtu se dy vëllezërit Astrit dhe Altin Avdyli kanë drekuar të paktën dy herë me Dakon në fillim të vitit 2017.
Lidhja e kryebashkiakut me Avdylajt kulmoi megjithatë në prag të zgjedhjeve të 25 qershorit 2017, ku një bisedë e publikuar tashmë nga media, tregon përfshirjen e grupit të Shijakut në procesin zgjedhor.
Mbrëmjen e 24 qershorit, Altin Avdyli është përgjuar teksa komunikon me një person të panjohur, i cili i premton 6 vota dhe i kërkon që “t’i thotë Vangjushit që t’u japë ndonjë lek që të votojnë”.

Dy ditë pas zgjedhjeve, më 27 qershor 2017, Dako është përgjuar sërish teksa flet në telefon me Altin Avdylin dhe kërkon të takohet me të vëllanë, Astritin. Sipas transkriptit të zbardhur, Dako thotë “doja ta takojsha, ta falenderojsha, ta pyesja një çikë…”.
Një prokuror në dijeni të hetimit, që foli me BIRN në kushtet e anonimatit tha se kreu i dyshuar i bandës, Astrit Avdyli komunikonte me kryebashkiakun Dako jo me telefonin e tij, por përmes personave të tjerë. Prokurori i tha BIRN se rrjedhja në media e lajmit se kryebashkiaku Dako ishte përgjuar në nëntor 2017 e dëmtoi hetimin. Por komunikimet u ndërprenë vetëm përkohësisht.
“Mund të them që janë me dhjetra telefonata të përgjuara,” tha prokurori. “Kryesisht flisnin për takime të ndërsjella, për të drekuar apo darkuar. Komunikonin edhe për probleme të tjera, kërkonin zgjidhje të problemeve të përditshme,” shtoi ai.
Përgjimet e siguruara nga BIRN tregojnë se Dako ishte zyrtari më i lartë, por jo i vetmi që kultivoi raporte të ndërsjellta me vëllezërit Avdyli.
Një numër zyrtarësh lokalë në institucione kyçe si inspektorë të INUK, drejtues në bashki, punonjës të Sigurisë Portuale apo madje edhe të universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës janë përgjuar gjatë komunikimeve me vëllezërit Avdyli në fillim të vitit 2018, ndërkohë që këta të fundit kërkonin favore të llojeve të ndryshme.
Dokumentet tregojnë gjithashtu se vëllezërit Avdyli kanë komentuar apo ndjekur me interes zgjedhjet për presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, ndonëse nga bisedat nuk del qartë se kush ishte kandidati i preferuar.
Bashkia e Durrësit rezulton të jetë vetëm njëra prej zonave të influencës së grupit të dyshuar kriminal, ndërsa të dhënat hetimore tregojnë se ata janë përfshirë edhe në Kavajë. Ndërsa në Lezhë, përgjimet tregojnë se vëllai i ish-deputetit socialist Arben Ndoka flet gjithashtu për blerje votash.
“…Nga përgjimet e telefonave celularë në përdorim të shtetasit Gjevi Ndoka evidentohet se ky shtetas në bashkëpunim me persona të tjerë, si para dhe gjatë fushatës zgjedhore është përfshirë në mënyrë aktive duke ofruar dhe dhënë të holla (para) zgjedhësve për të votuar kandidatët për deputetë nën siglën e Partisë Socialiste, të dhëna këto që dalin nga përgjimet,” shkruhet në dosjen hetimore.