Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, i ka mbrojtur zgjedhjet e tij për formacionin e parë të ekipit të tij në ndeshjen kundër Burnleyt. Norvegjezi beson se lojtarët e tij reaguan në mënyrë të përsosur pasi i pranuan dy gola.
Solskjaer i kishte fituar tetë ndeshjet e para si trajner i Manchester Unitedit para ndeshjes të së enjtes në Old Trafford. Mirëpo, në këtë ndeshje të fundit, kundër Burnleyt, djelmoshat e tij ishin duke humbur me rezultat 2:0 deri në minutën e 87-të, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, një penallti e shënuar nga Paul Pogba e përgjysmoi epërsinë, të cilën pastaj arriti ta barazojë qendërmbrojtësi, Victor Lindelof, në minutat shtesë të ndeshjes.
Kjo ishte hera e parë që Manchester Unitedi i Solskjaerit kishte qenë duke humbur, pasi që në të gjitha ndeshjet e tjera, “Djajtë e kuq” kishin qenë gjithmonë në epërsi. Por, Solskjaer u shpreh krenar me reagimin e lojtarëve të tij në këtë ndeshje, përkundër që nuk arritën t’i fitojnë tri pikët.
“Natyrisht, jam i lumtur që të paktën e morëm një pikë, por ne mund t’i kishim marrë të tri pikët në fund të ndeshjes. Megjithatë, na mbaroi koha. Filluam shumë vonë ta kuptonim urgjencën e asaj që po ndodhte”, ka thënë Solskjaer në konferencën për shtyp pas ndeshjes.
“Kjo është një mënyrë e mirë për të mësuar dhe tani e kemi përgjigjen nëse këta lojtarë mund ta kthejnë rezultati kur janë duke humbur. Edhe kështu, jam shumë i lumtur me reagimin e lojtarëve të mi”.
“Ne ia shkaktuam vetes telashet këtë herë. Në vend se të startonim me pasime përpara, ne e pasonim topin prapa te portieri dhe kjo është vetëm një gjë tjetër nga e cila duhet të mësojmë”.