Zëri i Amerikës dhe BIRN kanë publikuar një investigim për blerjen e votave në Shqipëri gjatë procesit të kaluar zgjedhor ku ky fenomen nuk ishte vetëm në Durrës por edhe në Lezhë e Dibër.
Një hetim i dytë i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i nisur gjithashtu në vitin 2016 pas një kallëzimi të Partisë Demokratike për manipulim zgjedhjesh në Dibër ngre dyshime për përfshirjen e zyrtarëve lokalë dhe personave me precedentë në shit-blerje të votës, premtime për vende pune dhe në disa raste, edhe përmes kanosjes.
Pas kallëzimit janë vënë në përgjim rreth 20 numra telefoni, ku flitej për blerjen e votës, mes tyre janë dëgjuar edhe zyrtarë të lartë të PS.
Pjesë nga investigimi
Makineria e Dibrës
Prej zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, akuzat për lidhje të politikës me krimin dhe përfshirjen e grupeve kriminale në zgjedhje kanë qenë pjesë dominante e debatit politik në Shqipëri.
Partia Demokratike në opozitë i intensifikoi akuzat në zgjedhjet vendore të vitit 2015 dhe veçanërisht gjatë fushatës për zgjedhjet e 25 qershorit 2017-kur Partia Socialiste mori e vetme mandatin për të qeverisur vendin.
Aludimet për blerje të votës u reflektuan edhe në raportin e fundit të OSBE/ODIHR-it.
“Të dyja këto parti [Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim] treguan disa raste konkrete, por në mungesë të provave të mjaftueshme konkluduese, nuk paraqitën ndonjë ankim ligjor kundër rezultateve.
Megjithatë, ato iu përmbajtën deklaratës së tyre të palëkundur se shkalla e blerjes së votës ishte e lidhur me sasi të mëdha parash të vëna në dispozicion nga kultivimi kriminal i drogës,” shkruhet në raport.
Një hetim i dytë i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i nisur gjithashtu në vitin 2016 pas një kallëzimi të Partisë Demokratike për manipulim zgjedhjesh në Dibër ngre dyshime për përfshirjen e zyrtarëve lokalë dhe personave me precedentë në shit-blerje të votës, premtime për vende pune dhe në disa raste, edhe përmes kanosjes.
Procedimi me nr:184/2016 lidhet me zgjedhjet e kryera më 11 shtator 2016 në Dibër për të zgjedhur pasardhësin e Shukri Xhelilit-i shkarkuar pasi u kap mat në një video-regjistrim ndërsa kërkonte favore seksuale në këmbim të një vendi pune.
Por zgjedhjet e reja, të cilat nxorrën fitues mjekun socialist Muharrem Rama u përbaltën nga akuzat për shit-blerje të votës dhe përfshirje të personazheve me të kaluar të errët në zgjedhje.
Në prag të zgjedhjeve, Partia Demokratike dorëzoi një kallëzim penal ndaj një morie drejtuesish lokalë të policisë, drejtorisë së Arsimit, OSHEE-së, Tatimeve si dhe denoncoi publikisht Ymer Lalën, një personazh kontrovers me lidhje të forta në zonë.
Por dy vjet e gjysmë pas këtij kallëzimi, çështja me nr: 184/2016 kaloi gjithashtu nëpër duart e disa prokurorëve dhe nuk është finalizuar ende.
Ish-prokurori Gentian Trenova, i cili mori i pari në dorë kallëzimin e Partisë Demokratike kujton për BIRN se menjëherë pas kallëzimit u vendosën nën përgjim rreth 20 numra telefoni.
“Përgjatë ditëve 8, 9 dhe 10 shtator u përgjuan me dhjetra telefonata, ku ndër të tjera flitej për blerjen e votës,” tha Trenova, i cili shtoi se mes bisedave të përgjuara ndodheshin edhe zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste.
Trenova u largua nga çështja, pasi u transferua nga Krimet e Rënda në Prokurorinë e Apelit të Tiranës. Çështja ndodhet aktualisht mbi tavolinën e punës së prokurorit Klodian Braho.
BIRN mësoi se Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë nën hetim drejtues të policisë në Dibër dhe Bulqizë si dhe zyrtarë të drejtorisë Arsimore apo të Tatimeve, të cilët dyshohet se janë përfshirë në mënyrë të paligjshme në proces zgjedhor, se kanë premtuar vende pune në këmbim të votës.
Megjithatë, njësoj si në dosjen me nr.339/1, edhe hetimi për manipulimin e votave në Dibër pengohet nga përgjimet voluminoze, pasi rreth 60 CD vazhdojnë të presin radhën për t’u zbardhur.