Ballina Aktualitet Protesta/ Studentët nisin marshimin drejt Parlamentit

Protesta/ Studentët nisin marshimin drejt Parlamentit

Protesta e studentëve vazhdon. Përveç ngujimit të të rinjëve studentë në shumë fakultetë në të gjithë Shqipërinë është shtuar edhe mbështetja e pedagogëve.
Ndërkohë sot Studentët i rikthehen sërish protestës në rrugë. Pas qëndresës në godinat e fakulteteve, studentët marshojnë sërish sot për plotësimin e 8 kërkesave, që sigurojnë sipas tyre arsimin cilësor.
Ndryshe nga dje që zgjodhën godinat e Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë për të protestuar, ata do të marshojnë sot përpara Parlamentit.
Vendimet e fundit të qeverisë nuk mundën të shuajnë protestat e studentëve. Nga ana tjetër në revoltë janë ngritur edhe pedagogët që thonë se autonomia e universitetit dhe liritë akademike vihen në pikëpyetje.
Ndërkohë në Fakultetin e Shkencave Sociale, Shkencat e Natyrës, Juridik dhe Histori-Filologji vijon bojkoti i mësimit, ku tashmë të rinjve u janë bashkuar edhe pedagogët.
Studentët vazhdojnë t’i qëndrojnë kauzës së tyre për plotësimin e 8 kërkesave, për arsim cilësor.
Studentët shprehen se kërkesat e tyre janë të qarta dhe se janë të vendosur që të mos tërhiqen deri në plotësimin e tyre.

“Studentët që ndodhen këtu janë të paktë në numër sepse presionet kanë bërë të veten duke qenë se jemi edhe në fund të sezonit. Në një klasë me tre studentë pedagogët kanë marrë mungesa. Askush nuk dëshiron që të humbasë vitin shkollorë. Në fakultetin tonë vetëm 35% marrin pjesë në mësim, nuk mund të them se mësimi do të nis por do të ndodhemi në të njëjtën situatë siç jemi sot”, u shpreh njëri nga studentët për Televizionin Fax News.
Duke argumentuar rreth programit të qeverisë i cili është quajtur “Pakti për Universitetin”, njëri nga protestuesit tha se ai nuk është i plotë, pasi sipas tij, nuk u jep zgjidhje të gjitha kërkesave që kanë parashtruar.
Një tjetër student deklaroi se pjesa më e madhe e studentëve në protestën e ditës së sotme janë nga Fakulteti Inxhinierisë Elektrike.
Ai tha, kemi dalë përpara Parlamentit për t’i çuar një mesazh politikës, për t’i thënë se të gjithë bashkë janë përgjegjës të situatës së studentëve.
“Kush e ka parë veten tek ky grupim ka vendosur të marrë pjesë, është dëshirë personale e gjithësecilit. Kjo protestë është një formë sensibilizimi për plotësimini e kërkesave tona. Ky nuk është fundi i protestës, pjesa më e madhe e studentëve vijojnë bojkotin”. Ai tha se do të jetë në çdo protestë të studentëve në mbështetje të kërkesave që kanë paraqitur.

Exit mobile version