Vijon bojkoti: “Nuk duhet të kenë frikë studentët që protestojnë por kryeministri dhe qeveria”!

Studentët e Fakultetit të Gjeologji-Minierave vijojnë bojkotimin e mësimit dhe janë të vendosur të të mos tërhiqen deri në plotësimin e të gjithave kërkesave.
Ata shprehen se ditët e fundit është shtuar ardhja e studentëve në ambjentet e universitetit por kjo është gjë e mirë sipas tyre ata tashmë kanë mundësinë që të diskutojnë dhe të kuptohen me njëri-tjetrin se çfarë kërkojnë.
“Nuk duhet të kenë frikë studentët që protestojnë për studentët që janë rikthyer por kryeministri dhe qeveria. Në bazë të disa sondazheve që kemi realizuar, pjesa dërrmuese e studentëve janë pro bojkotit. Nëse pedagogët do të na dalin në mbështetje kjo do të ishte akoma më mirë por edhe nëse jo ne do të vijojmë të protestomë”.
Sipas studentëve, vendimi i rektoratit për shlyerjen e orëve që kanë munguar gjatë protestave është një kërcënim që do të merren mungesa. Sipas tyre kjo nuk është një problem për ta.
Ata denoncuan edhe kushtet në të cilat studiojnë si edhe për diferencën që ekziston brenda të njëjtës godinë pasi aty ndodhen edhe disa zyra të Ministrisë së Drejtësisë.
“Disa klasa të fakultetit shërbejnë për zyra të Ministrisë së Drejtësisë, të cilat janë vendosur që në vitin 2014 mos më parë. I kemi dërguar një kërkesë për bojkotin dekanit të fakultetit për kushtet në të cilat ndodhet fakulteti pasi është një gjendje skandaloze, ndërkohë që në të njëjtën godinë ka diferencë midis kushteve të zyrave të punonjësve të Ministrisë së Drejtësisë me ato të studentëve pasi ata qëndrojnën në zyra luksoze më kondicioner”.
Sipas studentëve gjendja e laboratorëve të fakultetit është mizerabël. “Loboratorët janë në një situatë alarmante dhe rrezikojnë realisht jetën dhe shëndetin e studentëve. Besoj shumë se këto kërkesa do të realizohen dhe të mos humbim më orë mësimi për shkak të tekave të këtyre politikanëve që kanë 28 që po na e marrin shpirtin”.
Të rinjtë u shprehën se për momentin janë vetëm dy klasa që po zhvillojnë mësim por me pak studentë brenda pasi sipas tyre edhe ata janë të masterit pasi janë në fund të studimeve dhe duan ta mbyllin sa më shpejt fazën e studimeve.
“Nuk është në favorin e askujt që të shtyhet ky bojkot pasi do të kishte probleme organizative dhe financiare më pas. Qeveria është në panik, por nëse më përpara e shfaqte hapur tani është në panik të nëndheshëm duke dërguar mesazhe kërcënuese ndaj studentëve, pedagogëve dhe drejtuesve të fakulteteve”, thanë ndër të tjera për Fax News.