Pse Rama nuk është dhe nuk mund të jetë me studentët!

Ergys MERTIRI ergysmertiri2

Pafytyrësisht Rama vazhdon t’i mëshojë idese se ai është me studentët kundër dekanëve dhe pedagogëve, të cilëve kërkon t’ua faturojë të gjithë situatën. Duke iu hakërryer atyre ai tha se do të vihet në krye të protestës për ti rrëzuar ata, nëse ata nuk reflektojnë. Ironikisht, kjo shfaqje u mbajt në një sallë teatri, që është gjithashtu shprehje e degradimit të këtij shteti në një tjetër estradë të kësaj qeverie, si ajo e krizës së krijuar lidhur me godinën e Teatrit Kombëtar.
Rama nuk është dhe nuk mund të jetë me studentët dhe studentët janë, mbi të gjitha kundër tij. Dekanë dhe rektorë kanë qenë ortakët e tij në këtë mjedis mjeran ku ndodhet sot arsimi i lartë, ashtu si çdo sektor tjetër i vendit. Pazaret i kanë bërë bashkë dhe përgjegjësitë duhet t’i ndajnë bashkë. Prandaj dhe Rama i fyen dhe poshtëron publikisht duke iu pështyrë në fytyrë, dhe ata nuk reagojnë. Sepse ata e dinë që janë të kapur në zullumet e tyre dhe, duan s’duan fatin e kanë të lidhur me qeverinë.
Kjo ortakëri e Ramës me rektorë e dekanë të zhytur në korrupsion e paaftësi u shfaq hapur gjatë gjithë këtyre ditëve, kur studentët u përballën me sulme, akuza, kërcënime, përçarje e dhunë policore të shkaktuar nga drejtuesit e universiteteve.

Rama është palë me këta dekanë dhe shpurat e pedagogëve servilë që iu shkojnë nga pas, kundër studentëve dhe pedagogëve me dinjitet që duan ndryshimin.
Pra të korruptuarit e dijnë shumë mirë se fati i tyre është me qeverinë dhe qeveria e di shumë mirë se aseti i tyre më i madh janë të korruptuarit, të paaftët, servilët. Prandaj, sado shafqje të bëjë kryeministri, nuk mund të shqitet dot nga llumi që e mban.
Një vlerësim të madh për pedagogët e Filologjisë që sot deklaruan grevën e tyre paralajmëruese. Kjo është një mënyrë për t’i dhënë dinjitet figurës së pedagogut që qeveria po mundohet ta nëpërkëmbë, me larot e veta. Protesta po tregon çdo ditë e më shumë se cilët pedagogë e duan universitetin dhe cilët mbahen me thonj pas statusquo-së që u ofron llokmën e tyre.
Praktikisht kemi sot dy lloj pedagogësh: Ata qe reagojne dhe bëjnë grevë kundër qeverisë në krah të studentëve, dhe ata qe pranojnë të shkojnë e të pështyhen nga Rama para kamerave, pasi i kanë shërbyer më parë qeverisë për të shuajtur protestën. Kutohet se cilët janë ata që mund të sjellin ndryshimin.

rama1