Kryemadhi: Të ngrihemi të rrëzojmë këtë klikë që po varfëron çdo ditë e më shumë shqiptarët

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi zhvilloi një takim me të rinjtë e LRI-së së Bashkisë së Selenicës. Kryemadhi theksoi se përfshirja e të rinjve është shumë e rëndësishme në aksionin politik dhe kombëtar të opozitës, për të rrëzuar sipas saj klikën e kriminalizuar që ka marrë peng vendin dhe ka varfëruar shqiptarët.
Kryemadhi tha se LSI nuk do të rresht së demaskuari mashtrimet e mëdha që kryeministri dhe Rilindja u bëri shqiptarëve, si hapja e 300 mijë vendeve të reja të punës, ulja e taksave, shëndetësia falas etj. Ajo deklaroi se tashmë ka ardhur koha që të mos mbetemi peng i këtyre mashtrimeve, por të gjithë shqiptarët duhet të bashkohen në protestat e mëdha të opozitës për rrëzimin e klikës së kriminalizuar.
“Prandaj ne nuk mund të ngelemi më peng i këtyre mashtrimeve, por mbi të gjitha ne duhet të rrëzojmë këtë klikë, e cila po varfëron çdo ditë e më shumë shqiptarët, ta rrëzojmë këtë klikë e cila çdo ditë dhe më shumë po bën shqiptarët më të lodhur, po i bën shqiptarët më të dobët, po i bën shqiptarët më me pa besim në vetvete. Prandaj edhe vendimi i opozitës së bashkuar është shumë i qartë, për të ecur përpara dhe për të sqaruar çdo qytetarë shqiptar dhe për të qenë në protestë në ditët e ardhshme përpara kësaj klike dhe përpara këtij individi që ka marr peng shtetin, ka marrë peng vendin, ka marrë peng popullin shqiptar”, tha Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.