Banorët e Unazës së Re paralajmërojnë Ramën: E ke vendin në burg!

Banorët e Unazës së Re kanë vijuar edhe sot protestën e tyre në mbrojtje të vbanesave. Në ditën e 72-të të protestës, pavarësisht temperaturave të ulëta që kanë mbërthyer vendin, banorët kanë bllokuar rrugën kryesore, ndërsa me thirrje dhe pankarta në duar kërkojnë anulim të projektit. Një zëri banorët, hidhnin parulla sot…, “Shtëpitë tona nuk i prishni dot, janë ndërtuar me gjak”.
“E kupton që nuk të do njeri si kryeministër. E ke vendin në burg. Edi Rama, Erion Veliaj ikni nga Shqipëria. Valixhet, dhuratë nga banorët e Astirit”, u shprehën banorët.
Të pranishëm në protestë në mbështetje të banorëve, ishin edhe deputetët e opozitës. Deputeti demokrat, Klevis Balliu nga protesta nuk kurseu akuzat ndaj kreut të qeverisë, Edi Ramës, ndërsa kërkoi që banorët ta vazdojnë protestën.
“Të dashur qytetarë siç e patë qeveria ka vazhduar ritenderimin e projektit, në vend që të merret me hetimin e projektit korruptiv. Nuk vijnë të hetojnë korrupsionin në lotin nr1, që e ka marrë vesh Shqipëria dhe gjithë Amerika. Do ju bëja thirrje që ju të vazhdoni të qëndroni siç keni bërë në 72 ditë, që qeveria të anulojë projektin.
Sot kjo qeveri, dhe Edvin Kristaq Rama tregoi se këto post nuk e ka për popullin, por për interes të xhepit të tij”, u shpreh ai.